Albin Kurti diskuton me mërgatën në Stuttgart

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarët në Stuttgart të Gjermanisë.

Lideri opozitar ka njoftuar se kanë bashkëbiseduar “mbi mundësitë e bashkëpunimit e bashkëveprimit, për zhvillimin e demokratizimin e Kosovës, për integrimin pa asimilim të shqiptarëve jashtë atdheut”.

Kurti i ka quajtur të frytshme diskutimet dhe idetë e propozimet, “sidomos tani” që po përpilojnë programin dhe planin e Qeverisjes Alternative. Më tej, nga ky takim ka shtuar se mërgata janë “ura jonë me Bashkimin Evropian për investime dhe progres”.

Ky është postimi i plotë i Albin Kurtit në rrjetin social “Facebook”

Në Stuttgart të Gjermanisë pata kënaqësinë të takoj shumë bashkatdhetarë tanë. I falenderova që i janë përgjigjur ftesës sime për të bashkëbiseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit e bashkëveprimit, për zhvillimin e demokratizimin e Kosovës, për integrimin pa asimilim të shqiptarëve jashtë atdheut. Mërgata jonë janë ura jonë me Bashkimin Evropian për investime dhe progres. Në takimin me ekspertët e fushave të ndryshme e kyçëm virtuelisht edhe Besnik Bislimin, në takimin me mjekët dhe specialistët shëndetësorë e kyçëm Arben Vitinë, kurse në takimin me shoqatat kultutore shqiptare e kyçëm Liza Gashin. Një takim të veçantë pata edhe me biznesmenë shqiptarë e një tjetër me kryesinë e VETËVENDOSJE!-s e aktivistë të tjerë.

Diskutimet ishin të frytshme, idetë e propozimet e shpalosura gjithsesi të vlefshme, sidomos tani që po përpilojmë programin dhe planin e Qeverisjes Alternative.

Intelektualë, profesionistë dhe ndërmarrës shqiptarë në Gjermani japin një kontribut të përditshëm në shoqërinë gjermane dhe mbledhin përvoja të rëndësishme që mund e do të na shërbejnë për arritje e përparim në vendin tonë. Nga luftimi i pandemisë te sigurimet shëndetësore, nga siguria e investimeve te ligjet mbi financat, nga mësimi i shqipes te diplomacia kulturore, u trajtuan gjerë e gjatë.

Ruajtja dhe kultivimi i vlerave tona kombëtare është obligim i yni i përbashkët. Në keto takime u konfirmua pesha dhe roli i mërgatës sonë.

Takimi i Albin Kurtit me mërgimtarët në Stuttgart të Gjermanisë, Foto: Albin Kurti Facebook