Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Gjykata Speciale cakton seancën e ardhshme statusore ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Gjykata Speciale ka caktuar seancën e ardhshme statusore, ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Duke marrë parasysh preferencat e shprehura nga palët gjatë seancës së parë statusore, gjyqtari i procedurës paraprake do të mbajë seancën e dytë statusore më 17 dhjetor, në ora 11:00.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që t’i dërgojë parashtresat me shkrim deri më 14 dhjetor në orën 16:00, varësisht nga preferenca Prokurorisë.

I njëjti gjithashtu ka kërkuar nga mbrojtësit e të akuzuarve, që të sigurojnë dhe ata parashtresa me shkrim, varësisht nga preferencat e tyre këtë ta bëjnë deri më datën, 15 dhjetor, në ora 16:00.

Aktakuza ndaj katër krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas kësaj aktakuze pjesëtarë të UÇK-së, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njërëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Jack Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68 faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serb u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin arrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe Qendrën e Paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas Prokurorit të Specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Një tjetër person sipas aktakuzës kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, në seancat e mbajtura ndaj tyre muajin e kaluar.