Thaçi e quante Vuçiqin njeri joproblematik, këshilltari i tij e quan "Gebelsi i Milosheviqit"

Artan Behrami, këshilltari i presidentit  Hashim Thaci ka kritikuar Qeverinë Kurti për pranimin e disa testeve nga Serbia.

Behrami duke kritikuar  kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, e ka quajtur presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si “Gebelsi i Millosheviqit”,  duke e krahasuar atë me udhëheqësinë e propagandës së Hitlerit, Joseph Goebbels.

“Gebelsi i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, me një investim minimal arriti t’i shkaktojë dëm maksimal Kosovës. Këtë fitore të madhe diplomatike të Serbisë, që po celebrohet nga New York Times deri te Sputnik, ia mundësoi kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti”, ka thënë Behrami.

“Pranimi i 1 mijë testeve kundër Covid-19, si “shenjë e vullnetit të mirë të Serbisë”, i ka imunizuar kriminelët serbë që i kryen mbi 400 masakra në Kosovë dhe mbi 20 mijë dhunime, duke vrarë rreth 13 mijë civilë të pafajshëm, mbi 1 mijë prej të cilëve ishin fëmijë.

Sipas Behramit, Kurti brenda një dite e shndërroi Vuçiqin në humanist.

“Me një gabim fatal në politikën e jashtme, Kurti e pranoi ndihmën serbe pa kërkimfalje, pa kthimin e të pagjeturve dhe pa reparacionet. Kurti e ngriti Serbinë në nivel me Rusinë dhe Kinën, që si vende janë duke investuar në mbarë botën, sidomos në Ballkan, për krijimin e një imazhi pozitiv”, shtoi ai.

“Kryeministri i shkarkuar duhet ta kuptojë se nuk ka vullnet të mirë në marrëdhënie ndërkombëtare, por ka vetëm interesa! Ky akt nuk ishte interes i Kosovës, por vetëm i Serbisë”, tha Behrami.

Por, një mendim më ndryshe nga këshilltari i tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte ndarë në një forum të organizuar në vitin 2018, më 25 gusht.

Ai në Forumin Evropian Albach që ishte në një panel së bashku me Vuçiqin dhe po diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi, Thaci kishte thënë për të dhe Vuçiqin :”Ne nuk jemi djema problematikë – ne po përpiqemi të bëjmë një marrëveshje. Sidoqoftë, marrëveshja në vetvete mund të jetë një nga marrëveshjet më problematike me zgjidhje si për Kosovën ashtu edhe për tërë rajonin”, ka shtuar ai.

Dje, KALLXO.com ka raportuar se Serbia i dhuroi Kosovës teste për COVID-19.

Serbia i dhuron Kosovës teste për COVID-19

www.kallxo.com