Takimi i Albin Kurtit me aktivistet e tre brezave të familjes Kumnova

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim aktivistet e tre brezave të familjes Kumnova, Nesrete Kumnovën, drejtuese e organizatës, “Thirrjet e Nënave”, mbesën e saj, Bleona Deva si dhe Vjollca Deva, nënën e Bleonës. Familjare të afërta të Gëzim Deva dhe Albion Kumnova, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe në Gjakovë.

“Gjatë këtij takimi miqësor, u diskutua për betejën e përbashkët dhe prioritetin e qeverisë, për ndriçimin e rasteve të personave të zhdukur, në respektim të së drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e tyre, si një parakusht për sigurimin e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit.

Më tutje thuhet se Kryeministri Kurti rikonfirmoi përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për “Thirrjet e Nënave”, në misionin për zbardhjen e plotë të fatit të personave të zhdukur dhe përmbushjes së drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës.