Zoran Rajsiq, Ivana Zaniq, Vojkan Simic and Jovana Kolariq në prezantimin e dosjes së FDH-së në Beograd. Foto: BIRN.

Raport: Serbia dërgoi refugjatë nga Kroacia, Bosnja në vijën e frontit

Një raport i ri nga OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd tha se mijëra refugjatë serbë gjatë luftërave të viteve 1990 në Kroaci dhe Bosnjë u arrestuan në Serbi, u kthyen në zonat e konfliktit dhe u mobilizuan me forcë si luftëtarë.

OJQ-ja tha në një raport të publikuar se Ministria e Punëve të Brendshme serbe mobilizoi me forcë rreth 10,000 refugjatë dhe i çoi përsëri në territore nën kontrollin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe të ushtrisë rebele serbe të Krajinës në Kroaci.

Dosja e FDH-së tregon se si qeveritë e Jugosllavisë, Serbisë, Republikës Srpska në Bosnje dhe “Republikës” së Krajinës bënë një marrëveshje për kthimin e refugjatëve në vijën e parë të frontit në Bosnje dhe Kroaci.

Masa për të dërguar refugjatë për të kryer shërbimin ushtarak në Bosnje dhe Kroaci filloi në vitin 1993, thotë dosja, e cila titullohet “Mobilizimi i detyrueshëm i refugjatëve”

Ajo citon të dhënat e një mbledhjeje të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes Jugosllave në fund të vitit 1993, në të cilën presidenti serb Sllobodan Millosheviq tha se kishte “një trup të tërë dezertorësh ushtarakë që janë të përfshirë në krim në Jugosllavi dhe shmangin mbrojtjen e vendit të tyre atje (në Bosnjë dhe Kroaci). Është e kotë që vullnetarët të nisen që këtu për në vijën e frontit dhe refugjatët të enden nëpër Beograd dhe Serbi”.

Ivana Zaniq, drejtoreshë e FDH-së, tha se kjo tregonte se si autoritetet serbe i trajtuan refugjatët gjatë kohës së luftës.

“Pra, në fund të vitit 1993 ishte tashmë plotësisht e qartë se si autoritetet në Serbi i perceptonin refugjatët, jo si dikush që erdhi në territorin serb për të gjetur shpëtim, por si dikush që dezertoi nga ushtria dhe i cili në Serbi, me fjalë të tjera Republikën Federale të Jugosllavisë në atë kohë, ishte përfshirë në krim dhe dilte rrugëve lirisht”, tha Zaniq.

Sidoqoftë, autoritetet jugosllave kishin frikë se organizatat ndërkombëtare mund t’i akuzonin ata për mobilizim të dhunshëm, dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Suprem të Mbrojtjes, Millosheviq tha që ai bëri një marrëveshje me presidentin e Republikës Srpska, Radovan Karaxhiq dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, Momqillo Krajishnik se ata duhet të kërkoni me shkrim që qytetarët e tyre të dërgoheshin në Ushtrinë Serbe të Bosnjës ose Ushtrinë e Republikës së Krajinës në Kroaci.

Jovana Kolariq nga FDH-ja, autore e dosjes, tha se njerëzit u morën nga qendrat e refugjatëve, shtëpitë e të afërmve, vendet e punës, konviktet e studentëve dhe madje edhe nga rrugët.

“Në mesin e refugjatëve të mobilizuar me forcë kishte njerëz që kishin rregulluar statusin e refugjatit, pasi kishte disa që nuk e kishin të rregulluar atë status. Por kishte qytetarë të Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë që në një periudhë të jetës së tyre kishin jetuar ose kishin një pronë në Bosnjë ose Kroaci dhe kishte edhe një numër më të vogël grash të mobilizuara”, tha Kolariq.

Pasi u arrestuan në Serbi, refugjatët iu dorëzuan Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ushtrisë së Republikës së Krajinës serbe në Kroaci dhe njësive paraushtarake në Bosnjë dhe Kroaci.

Njëri prej tyre, Zoran Rajshiq, tha në prezantimin e dosjes së FDH-së se ai u arratis nga Kroacia në gusht 1995.

Ai së bashku me familjen shkuan në Veliko Selo në veri të Serbisë dhe më pas shkuan për t’u regjistruar si refugjatë. Një ditë më pas, mbërriti policia.

“Kishte rreth 12 ose 13 oficerë policie, një autobus dhe një furgon dhe na thanë që po shkonim në vijën e frontit, po ktheheshim atje… Të gjithë ne ishim të veshur me pak a shumë uniforma ushtarake dhe shkuam me autobus për në Kikinda, në veri të Serbisë”, tha Rajshiq.

Në Kikinda, ata u bashkuan me njerëz të arrestuar në vende të tjera dhe përfundimisht u dërguan në qendrën e stërvitjes Erdut, një kamp ushtarak në një fshat në Kroacinë lindore që komandohej nga udhëheqësi famëkeq paraushtarak Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani.

“Garda Vullnetare Serbe (Njësia paraushtarake e Arkanit) na mirëpriti atje. Jo “mirëmbrëma” apo ndonjë gjë të ngjashme, por vetëm fjalë ofenduese, se ne ishim tradhtarë, pijanecë etj.”, tha Rajshiq.

Dosja e FDH-së bazohet në më shumë se 500 deklarata nga refugjatët që u mobilizuan me forcë, ose nga anëtarët e familjeve të tyre, si dhe provat nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe dokumentet gjyqësore nga më shumë se 120 raste të personave që paditën shtetin serb për kompensimin për mobilizim të detyruar.

Zaniq tha se FDH ka përfaqësuar më shumë se 720 persona në raste të tilla.