Pak para zgjedhjeve lokale, Qeveria në detyrë vendos t'ua ndajë nga 100 euro studentëve

Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për studentët në Kosovë.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur sot me 07.10.2025, është marrë vendim për ndarjen e 6 milionë euro për studentë, dhe 20 milionë tjera për bursën e mobilitetit- që në total kapin shifrën 26 milionë euro.

Vendimi i parë, sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, do të ndahen nga 100 euro për secilin student që plotëson kriteret që do të prezantohen në ditët e ardhshme.

6 milionë euro është shuma e planifikuar për ndarjen e nga 100 eurove për student. Kjo hyn në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike.

Kurse për vendimin e dytë, janë planifikuar 20 milionë euro, pra për atë që quhet “bursa e mobilitetit”.

“Sa më larg studenti ta ketë universitetin, aq më e madhe do të jetë mbështetja nga Qeveria”- tha Kurti për bursën e mobilitetit.

Sipas ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ky vendim hynë si masë e re në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike.

Murati njoftoi se kur do të munden studentët të përfitojnë nga këto dy mundësi, do të njoftojnë në vazhdimësi.

Sipas Kurtit, deri te këto vendime kanë ardhur për shkak se ekonomia ka shënuar rritje prej 4.58 % të brutoproduktit vendor në tremujorin e dytë.