Ndërkohë, strategjia e Amerikës për Kosovën po shkrihet

Ndërsa pandemia e koronavirusit po rrit tensionet, strategjia e administratës Trump për t’a përkulur presidentin autoritar të Serbisë po dështon plotësisht.

Ndërkohë që bota po bën përpjekje për të luftuar pandeminë e koronavirusit, një zhvillim i jashtëzakonshëm është duke u shpërfaqur në Ballkan: një vend i sfiduar, i varur dhe në nw përgjithësi një vend i vogël e i adaptueshëm po e kundërshtona hapur administratën e fuqishme të Presidentit të Sh.B.A., Donald Trump, shkruan ForeignPolicy

Republika e Kosovës ka refuzuar të dorëzohet nën presionin e ashpër nga Richard Grenell, drejtor i përkohshëm i inteligjencës kombëtare i cili gjithashtu shërben si i dërguari amerikan për bisedimet e paqes midis Serbisë dhe Kosovës. As Kosova e as Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian derisa të mos e zgjidhin mosmarrëveshjen për pavarësinë e Kosovës, të cilën Serbia nuk pranon ta njohë.

Beogradi me këmbëngulje e mban në izolim Republikën e Kosovës, duke e penguar shtetin e ri që të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në shumicën e organizatave ndërkombëtare. I vendosur për ta finalizuar një marrëveshje pas dyerve të mbyllura me presidentët përkatës të të dy vendeve, Grenelli është i inatosur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri rishtar e ka kundërshtuar kërkesën e Grenellit për të hequr taksën ndëshkuese 100 për qindëshe ndaj mallrave serbe.

Në një veprim të paparë kundër, ndoshta një vendi më pro-SH.B.A. në glob, Uashingtoni e ka pezulluar ndihmën kryesore të Sh.B.A-së për Kosovën dhe një ligjvënës amerikan madje ka kërcënuar të tërheqë trupat e Sh.B.A-së nga forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Presioni nga Uashingtoni rëndon mbi aftësinë e Kosovës për t’u marrë me krizën e koronavirusit, duke i rënduar edhe më tej tensionet midis kryeministrit dhe Presidentit Hashim Thaçi, i cili është plotësisht i një mendjeje me Grenell për qasjen ndaj Serbisë. Mu në momentin kur uniteti kombëtar është mese i nevojshëm, Thaçi dhe Kurti tani po luftojnë nëse do të shpallin një gjendje të jashtëzakonshme lidhur me pandeminë. Kryeministri sapo ka shkarkuar nga detyra  Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili ka dalë në mbështetje të deklaratës së Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke provokuar një krizë të parakohshme qeveritare.

Për më shumë, në lojën e tij Grenell po sfidohet edhe nga antagonisti kryesor në sagën afatgjate të Kosovës: Presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Në muajin janar, Grenell bëri thirrje që Beogradi të ndalonte fushatën e tij çnjohëse kundër Kosovës. Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq e refuzoi përsëri një gjë të tillë duke sugjeruar se kjo fushatë do të vazhdojë edhe nëse Kosova heq taksën ndaj Serbisë. Uashingtoni nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me këtë.

Nuk ekziston ndonjë fshehtësi se pse Grenell, i etur për një marrëveshje, do të rreshtohej në krah të palës më të fortë, më të papajtueshme në negociata. Fshehtësia e vërtetë është se si diplomacia amerikane përfundoi në këtë antitezë – një përpjekje e shtrembëruar për të detyruar një aleat të dobët, të padëmshëm ndaj Sh.B.A-së për të qetësuar burrin e fortë të Serbisë. Kjo është veçanërisht konfuze sepse pengesa kryesore për një zgjidhje të Kosovës është vetë Vuçiq.

Që nga koha e trazirave të vitit 2004 dhe protestave me plot zemrim të serbeve në vendkalimet kufitare të cilat ishin instaluar menjëherë në vitin 2011, ka pasur vetëm incidente sporadike, në shkallë më të vogël midis pakicës etnike serbe dhe shumicës shqiptare etnike në Kosovë.

Ndërsa nuk ka pasur kthim masiv të serbëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre të mëparshme në Kosovë qysh nga tërheqja e forcave serbe nën kontrollin e NATO-s në 1999, as pavarësia e Kosovës së vitit 2008 nuk ka shkaktuar ndonjë eksod masiv.

Shumica e serbëve të Kosovës vazhdojnë të jetojnë në jug të vendit, të rrethuar nga shqiptarët etnikë, si një pakicë e vogël. Jeta nën sundimin e shqiptarëve nuk është ndonjë parajsë, por përgjithësisht është më stabile se në veriun e jashtëligjshwm të Kosovës, ku serbët separatistë përbëjnë shumicën dhe ku mbizotërojnë urdhëresat gjyqesore nga Beogradi.

Frika bie mbi të gjithë ata që jetojnë në veri, përfshirë serbët, teksa e marrin si shembull vrasjen e pazbuluar të udhëheqësit të moderuar etnik serb, Oliver Ivanoviç, në vitin 2018. I dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviçit shëtitet lirshëm në Serbi, i paprekur nga autoritetet – një mesazh për të gjithë ata që do të provonin të sfidonin strukturën e pushtetit në qeverisje.

Ndërsa për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe për të cilat Vuçiq është aq i zëshëm, sipas llogarive lokale ato kanë pasur pak ndikim në jetën e përditshme ekonomike në veri. 

Derisa Partia Progresive Serbe e Vuçiqit nuk erdhi në pushtet në vitin 2012, Kosova ishte lënë në rend të dytë si një prej shqetësimeve kryesore për qytetarët serbë. Atë vit kjo parti bëri fushatë të madhe për Kosovën, duke dramatizuar gjendjen e rëndë të serbëve dhe duke e rikthyer Kosovën në një çështje me shumë rëndësi. Partia në fjalë u zotua të paraqesë një plan për të adresuar çështjen e Kosovës, megjithëse ky plan nuk është konkretizuar akoma.

Në vend të tij, në mënyrë enigmatike Vuçiq ka bërë thirrje të kohëpaskohshme për pragmatizëm ndaj Kosovës së bashku me retorikën shumë të shpeshtë dhe të ashpër, duke deklaruar, për shembull: “Mund të me tërhiqni zvarrë nëpër rrugë, por une nuk do ta njoh kurrë Kosovën!”

Në vend që ti vëjë bazat për diplomaci, ministrat në qeverinë e tij, përfshirë kryeministren Ana Brnabiç, i kanë fyer rëndë shqiptarët etnikë.

Në dhjetor, Vuçiqi e hodhi poshtë akuzën më nxitëse që nga vitet e luftës, duke pohuar se një masakër famëkeqe ndaj fshatarëve shqiptarë etnikë në vitin 1999 nga forcat serbe në Kosovë ishte sajuar për të provokuar ndërhyrjen perëndimore.

Për Vuçiqin, historia e fundit e Kosovës fillon me fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe nuk e përmend fare një shpërbërje paraprake, të paramenduar të autonomisë së Kosovës nën ish-liderin serb Sllobodan Milloseviç – shumë përpara rënies së Murit të Berlinit dhe para çdo agjitacioni për pavarësinë e Kosovës. Pasoi një dekadë shtypjeje sistematike nga Beogradi.

Megjithë fushatën për ta ngjallur ndjenjën nacionaliste mbi Kosovën, publiku serb ende tregon gatishmëri për një zgjidhje. Në një studim të kohëve të fundit, më pak se një e treta e qytetarëve serbë e kanë përmendur Kosovën si çështje prioritare, ndërkohë që ishte standardi jetësor (84 përqind) si dhe problemi i lidhur me korrupsionin dhe kriminalitetin (68 përqind) që me shumë lehtësi ishin në krye të listës së shqetësimeve.

Për më tepër, falë viteve të politikave gërryese, Vuçiq ka aftësinë të kontrollojë narracionin publik në Serbi si asnjë lider para tij, përfshirë edhe mentorin e tij, Millosheviçin. Kaq të frikësuar janë gazetarët dhe figurat publike në Serbi saqë vetë-censura është bërë dicka e zakonshme.

Aq mbizotëruese është partia e Vuçiqit saqë shqetësimi i tij më i madh në zgjedhjet e muajit të ardhshëm është të arrijë një fitore zgjedhore aq të madhe saqë të arrijë ta dëmtojë besueshmërinë e demokracisë serbe në sytë e perëndimit.

Vuçiqi kontrollon pothuajse të gjithë sektorët qeveritarë, përfshirë shërbimet e inteligjencës dhe ka një ndikim të konsiderueshëm në bastionet joqeveritare të nacionalizmit serb siç janë Kisha Ortodokse Serbe dhe Akademia  e Shkencave dhe Arteve të Serbisë.

Cështja është se Vuçiq mund ta tregtojë një marrëveshje dinjitoze, stabilizuese për Kosovën që përfshin njohjen e plotë reciproke. Fatkeqësisht, ai vetëm e ka bërë më të vështirë arritjen e një marrëveshje të tillë.

Në vend që ta kuptojnë këtë fakt dhe të përfitojnë nga presidenti serb, diplomatët – tani përfshirë edhe Grenellin – e kanë bërë një gabimin klasik gjatë bisedimeve: dëshpërimin. Në vend që të shfrytëzojnë kohën e tyre, duke e penguar fushatën e çnjohëse të Serbisë dhe të ndihmojnë në shpërfaqjen e kalbjes sistemike për të cilën shqetësohen qytetarët serbë, diplomatët e kanë bërë pikërisht të kundërtën.

Duke e lutur liderin serb për të arritur një marrëveshje për Kosovën, zyrtarët e Sh.B.A-së dhe BE-së (me disa përjashtime) i kanë mbyllur sytë nga shqetësimet për një rrëshqitje të demokracisë në Serbi duke përfshirë shembuj grafikë të kapjes së shtetit nga aleatët e partisë në pushtet.

Grenelli ka rënë në të njëjtin kurth, duke e nënçmuar në vend se ta mbështesë Kurtin – reputacioni i të cilit si një luftëtar i mirëfilltë kundër korrupsionit madje ka arritur të shkaktojë pak të dridhura edhe në Beograd, dhe i cili tashmë ka ndërmarrë hapa për të frenuar korrupsionin në Prishtinë.

Nga ana tjetër, Vuçiq ka manipuluar këtë zell për një marrëveshje, duke e kthyer thelbin e negociatave në një cështje se si ta kompensojë politikisht presidentin serb, sesa të mbrojë interesat kryesore të Serbisë në Kosovën e pavarur.

Për motive që i di vetëm ai, mbase të bëmat e tij korruptive ose sjellje të tjera kriminale, Thaçi i është përshtatur çuditërisht homologut të tij serb. Të mbështetur nga ish shefja për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe nga diplomacia e Departamentit Amerikan,  vitin e kaluar Vuçiq dhe Thaçi janë dakorduar për ndarjen e Kosovës.

Diplomatët e kanë arsyetuar konceptin radikal duke pohuar se nëse nuk ndahet, Kosova do të bëhej një “konflikt i ngrirë”. (Nëse ndodh, edhe aspiratat e Serbisë për në BE janë të ngrira.)

Kur lajmi për planin e ndarjes doli në shesh, një poterë u zhvillua në Kosovë, në vendet fqinje dhe në Gjermani për “një sëmundje ngjitëse e Kosovës” – ftesën për të rihapur çështjen e kufijve  në Ballkan, duke e përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën tashmë të luhatshme.

Nga ana e tij, Grenell insiston që palët nuk kanë diskutuar kurrë për ndarje, të paktën “në praninë e tij“. Ai pohon se ndërmjetësimi i tij bazohet në zhvillimin ekonomik dhe vendet e punës.

Në fillim të këtij viti, Grenelli me shumë krenari i bëri publike marrëveshjet pozitive për krijimin dhe përmirësimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore midis Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë, shqetësimi mbetet se marrëveshja Grenell-Vuçiq-Thaçi përfshin edhe territorin.

Në njoftimin e saj përmes llogarisë sociale Twitter për një rezolutë parlamentare për dialogun me Serbinë, kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëroi se “askush nuk do të jetë në gjendje të negociojë integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin e tij kushtetues”.

Shqetësimet e Vjosa Osmanit për ndarjen janë të bazuara. Mësimi i një çerek shekulli të bërjes së paqes në Ballkan tregon se marrëveshjet e bazuara në të drejta, siç është marrëveshja e Prespës së vitit 2018, midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe marrëveshja së Ohrit të vitit 2001, që i jep fund luftës midis maqedonasve dhe shqiptarëve, kanë pasur sukses; marrëveshjet e bazuara në territor, siç është marrëveshja e Dejtonit të vitit 1995 për statusin e Bosnjës, thjesht e mbajnë gjallë konfliktin.

Në të vërtetë, lideri separatist Milorad Dodik, një serb i Bosnjës, e ka duartrokitur ndarjen e Kosovës pasi i ka shtuar kërcënimet e tij për shkëputje nga Bosnja, një veprim që do ti rindizte luftimet.

Ashtu sikurse qe Bosnja është e bllokuar nga ndarja etnoterritoriale e vendit, edhe Kosova dhe Serbia do të dënoheshin gjithashtu për një gabim të përhershëm. Ndarja e Kosovës – pavarësisht nga pëlqimi i palëve – do të jetë shkaku për homogjenizimin e tërësishëm etnik: Kosova për shqiptarët dhe Serbia për serbët. Dhjetëra mijëra qytetarë të pakicave të mbetur në “anën e gabuar” të kufirit të ri do të iknin.

Në këtë skenar, trashëgimia e lashtë etnike serbe në jug të Kosovës do të ishte edhe më e izoluar, edhe nëse sovraniteti i saj do ti jipej. Eshtë kjo arsyeja pse At Sava Janjiç, abati ortodoks serb në Deçan, vendin që ka rëndësinë më të madhe për kishën serbe në Kosovë, me shumë vendosmëri e kundërshton ndarjen e Kosovës. Ai e kupton që një shkëmbim territorial nënkupton edhe një këmbim të popullsisë.

Vuçiq dhe Thaçi, të preokupuar me shqetësime personale, nuk i kanë gëlltitur këto mësime. As diplomatët e SHBA nuk i kanë mësuar ata, duke qenë të preokupuar teksa po merren me një marrëveshje – madje destabilizuese – për të cilën nuk shihet se ka ndonjë me aq urgjencë.

Nëse oferta e Grenellit bie poshtë ndërmjet rezistencës lokale dhe përhapjes së pandemisë, do të ketë kohë për të reflektuar në krejt strategjinë e falsifikimit të një marrëveshjeje për Kosovën duke e zbutur apo qetësuar presidentin serb.

Asgjë nuk humbet duke e nxitur Vuçiqin që të dëshmojë se interesi i tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është i vërtetë dhe jo vetëm mashtrim. Asgjë nuk humbet nëse Beogradi dhe Prishtina futen një dialog të vërtetë mbi Kosovën – një dialog që adreson pyetjet e dhimbshme të së kaluarës si një mënyrë për të krijuar një të ardhme të prosperuar, të qëndrueshme. Vendet fqinje si Greqia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria kanë vërtetuar se kjo është plotësisht e mundur.

Shtetet e Bashkuara dhe BE së bashku kanë një levë të mjaftueshme ndaj palëve për ti bërë bashkë mendjet e tyre, përfshirë stimujt ekonomikë që favorizohen nga Grenelli. Uashingtoni dhe Brukseli duhet vetëm të vendosin nëse duan një marrëveshje afatshkurtër apo një zgjidhje afatgjate.

Përktheu- Nuhi Shala