Foto: ZKM

Kurti takon Allison Peters, zëvendësndihmës Sekretaren në detyrë të DASH-it

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Estonisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar takim me zëvendësndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters.

Sipas njoftimit të ZKM-së, në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Qeveri të Hapur dhe për mundësitë e bashkëpunimit me agjencitë amerikane, sikurse USAID në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP, me theks te transformimi digjital.

Kurti ka theksuar se Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor në indeksin e konkurrueshmërisë së IT-së, të parët në Evropën në Zhvillim (Emerging Europe) për numrin e studentëve në fushën e TI-së për 100 mijë banorë, kurse të dytët për infrastrukturën teknologjike.

“Kurti gjithashtu veçoi edhe progresin në indikatorë ndërkombëtarë të transparencës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në njoftim tutje thuhet se falë vëmendjes së qeverisë në transformimin digjital synohet që të ofrohet infrastrukturë sa më të përshtatshme për kompanitë e këtij sektori ashtu që të mund të zhvillohen sa më shumë.

Edhe në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci Sherifi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Ndërkaq, përkrah zëvendës ndihmës Sekretares në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Peters, ishte edhe Zëvendës ndihmës Sekretarja kryesore në Byronë për Hapësirë Kibernetike dhe Politika Digjitale të Departamentit të Shtetit, njëherësh ish- zëvendës ambasadorja e Amerikës në Kosovë, Jennifer Bachus.

Samiti i 8-të Global të Partneritetit për Qeveri të Hapur, këtë vit po organizohet nga Qeveria estoneze, në Tallin.