Kurti takohet me përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë.

Kurti i falënderoi agjencitë për kontributin që kanë dhënë për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe për sigurimin e kontingjentit të parë të vaksinave anti-Covid.

“Duke folur për krizën me pandeminë në gjithë globin, kryeministri Kurti tha se kjo krizë në Kosovë u thellua edhe më shumë me rrëzimin e padrejtë të qeverisë vitin e kaluar. Kryeministri theksoi se aktualisht në Kosovë po ndodhin mesatarisht 10 vdekje në ditë, ndërsa asnjë pacient me koronavirus nuk po e mbijeton daljen nga respiratori”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për media e Kryeministrit.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke i falënderuar për kontributin rreth kontingjentit të parë të vaksinës,  tha se shpreson në bashkëpunimin e mëtejmë të agjencive të Kombeve të Bashkuara në tejkalimin e krizës me virusin.

“Përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara të pranishëm në takim, uruan kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia për fitoren në zgjedhje dhe formimin e qeverisë”, thuhet në komunikatë.

Koordinatorja për Zhvillim e KB-ve, Ulrika Richardson ka thënë se kabineti i ri qeveritar mund të llogarisë në ndihmën dhe mbështetjen e agjencive, por njëkohësisht tha se pret bashkëpunim dhe koordinim me qeverinë.

Edhe përfaqësuesit e tjerë e njoftuan kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia me punën që kanë bërë dhe po e bëjnë në Kosovë, duke ofruar përkrahjen e mëtejshme.

Kryeministri Kurti u premtoi përkrahjen e tij dhe të kabinetit, sepse siç tha ai, “duam të bashkëpunojmë me të gjithë për të mirën e Kosovës”.

Përveç koordinatores për Zhvillim të KB-ve, Ulrika Richardson në takim ishin të pranishëm edhe Maria Suokko, (UNDP), Anna Rostocka (IOM) Omar Siddique (UN HABITAT), Brendan Keirnan (UNOPS), Murat Sahin (UNICEF), Visare Mujko-Nimani (UNFPA), Vlora Nushi (UNËOMEN), Naser Krasniqi (FAO) Sery Koryak (ËHO), Lorik Pustina (UNDCO) Blerim Azizi (UNV), Rositsa Zaharieva (UNODC), Blerim Murtezi (ILO) Shpend Qamili (UNDCO).