Kurti për ndalimin e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”: Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas ndalimit të realizimit të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”, në sheshin Droqol në Beograd.

Kurti thotë se pasi refuzoi edhe një herë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike të lehtësuar nga Bashkimi Europian, e miratuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Serbia mbylli të enjten një nismë tjetër të sponsorizuar nga BE, festivalin e “Mirëdita, Dobar Dan””.

Sipas kryeministrit, festivali “ u rrëmbye” nga zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, teksa theksoi se “në vend të  artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve”.

“Një festival kulturor me një histori dhjetëvjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia, “Mirëdita, Dobar Dan” u rrëmbye nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Vulin dhe ministri i Punëve të Brendshme, Dacic, të cilët e deformuan atë, përtej njohjes, në një paradë groteske të urrejtjes dhe mesazhe diskriminuese. Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve”- ka shkruar Kurti në X.

“Për fat të keq, Serbia ka shfaqur edhe një herë armiqësinë e saj të paepur ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me paqen dhe pajtimin”- shton ai.

Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç urdhëroi që festivali “Mirëdita, Dobar Dan!” të ndalohej për arsye sigurie, ndërsa gazetarët dhe disa organizatorë që përpiqeshin të arrinin festivalin nga Kosova u ndaluan në rrugë nga policia.

Ai shtoi se nuk do të lejohen tubime të tjera në zonën në qendër të Beogradit rreth festivalit, i cili synon të promovojë shkëmbimin kulturor Serbi-Kosovë për të ndihmuar në nxitjen e paqes së qëndrueshme dhe normalizimin e marrëdhënieve midis popujve të dy vendeve.

Policia serbe ndaloi disa nga organizatorët e festivalit nga Kosova dhe ekipet e gazetarëve, duke përfshirë një ekip të BIRN nga Kosova, që të mbërrinin në festival me rrugë.

Policia i ndaloi ata 25 kilometra larg Beogradit, duke përmendur urdhrat “për të mos i lejuar ata të vazhdojnë më tej”. Pasi u ndaluan për një orë, organizatorët dhe gazetarët u kthyen në Kosovë.

Policia serbe e kishte shoqëruar ekipin nga Kosova nga pika kufitare e Merdares pasi kishin hyrë në Serbi.

Ndërkaq organizata, Yourth Iniciative For Human Rights – Kosovo (YIHR KS) e cilëson si cenim të sigurisë thirrjen e autoriteteve serbe për të ndaluar realizimin e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan” në sheshin Dorqol në Beograd.

Sipas tyre Ministria e Punëve të Brendshme nuk u përpoq fare të dërgonte përforcime për ta mundësuar që ky festival të mbahet. Festival ky sipas YIHR platformë thelbësore për dialogun serbo-kosovar.

Duke marrë emrin nga fjalët shqipe dhe serbe për “përshëndetje”, ‘Mirëdita, Dobar Dan!’ u themelua në vitin 2014 nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Nisma Qytetare nga Beogradi dhe OJQ-ja e Prishtinës Integra me qëllim promovimin e shkëmbimit kulturor dhe krijimin e “një tradite bashkëpunimi” që do të kontribuonte në një paqe të përhershme dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Që nga edicioni i tij i parë një dekadë më parë, festivali kulturor ‘Mirëdita, Dobar Dan!’, i cili mbledh së bashku artistë, aktivistë të të drejtave dhe opinionistë nga Kosova dhe Serbia, ka tërhequr pjesën e tij të vëmendjes nga e djathta serbe, por autoritetet në Beograd kryesisht e kanë lënë të kalojë pa koment. Por festivali i këtij viti u shënua nga kritika të forta nga zyrtarët serbë.