Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Parulla me të cilën fituam zgjedhjet ka qenë ‘Punësim dhe drejtësi’, jo rritje e pagave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit, është deklaruar në lidhje me Ligjin e pagave.

Kurti ka thënë se parulla me të cilën i ka fituar zgjedhjet ka qenë “Punësim dhe drejtësi”, jo rritje e pagave.

“Duhet ta kuptoni një gjë, pagat, pagat, pagat. Unë e di që jeta është bërë më e vështirë në Kosovë por duhet të keni parasysh, parulla jonë me të cilën këmi fitu në zgjedhje ka qenë punësim dhe drejtësi, jo rritje e pagave. Ju keni garu me rritje të pagave edhe keni hupë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se prej vitit 2014 ka subjekte politike që kanë garuar për rritje të pagave si parullë, sipas tij ato parti kanë humbur.

“Prej vitit 2014 ka parti që kanë garu për rritje të pagave si parullë, ato parti kanë hupë. Na kena fitu me punësim dhe drejtësi pra me i shti në punë ata që s’janë, jo veç ata që janë e dihet qysh kanë hi në punë , tash veç me ta me u merr e me jau rritë pagat. Kjo do të ishte kundër popullit dhe kundër fitores që e kena realizu ne. Prandaj, parullën tuaj nuk mund të ua realizoj unë, se ka hupë më 14 shkurt 2021”, u shpreh Kurti.

Më tej, kryeministri tha se do ta bëjë Ligjin e ri për pagat dhe se do të ketë ndjeshmëri për gjendjen e punëtorëve në sektorin publik.

“Ne do ta bëjmë ligjin e ri për pagat. Do të kemi ndjeshmëri për gjendjen e punëtorëve në sektorin publik, por unë atë parullë nuk mund ta marrë, ajo është e juaja”, shtoi ai.