Kurti dhe Wolfgang diskutojnë për njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Wolfgang Petritsch, President i Fondacionit Austriak të Planit Marshall, kanë diskutuar rreth njohjes reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e kryeministrit, thuhet se Ambasadori Petritsch dhe kryeministri Kurti diskutuan për proceset dhe zhvillimet politike në rajon dhe në Kosovë.

“Ndër të tjera, u shkëmbyen mendime për takimin e 15 qershorit në Bruksel për dialogun e ri ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe propozimet e kryeministrit Kurti. U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një proces që garanton njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri ritheksoi se në takim u diskutua për dialogun e ardhshëm i cili duhet të jetë i qartë e parimor dhe dialog për statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë për të qenë pjesë e Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e priti ambasadorin Wolfgang Petritsch, President i Fondacionit Austriak të Planit Marshall, njëherit ish i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovë, në vitet 1998-‘99 dhe kryenegociator i Bashkimit Evropian në Konferencën e Rambujesë.