Kriza e COVID 19, Merret vendimi për shkurtimin e vitit shkollor

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj e ka nënshkruat sot vendimin që viti shkollor 2020/21 të përfundojë më herët se që ishte planifikuar, pra me datën 18 dhjetor 2020.

Në vendimin e Likajt po ashtu është theksuar se pushimi dimëror fillon me datën 21 dhjetor dhe përfundon më 15 janar 2021.

Kurse, gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor është planifikuar që të fillojë me datën 18 janar të vitit 2021.

Në vendim, ministri po ashtu ka thënë se këtë vendim e ka marrë për shkak të situatës së pandemisë me COVID-19.

Vendimi është theksuar se do të hyjë në fuqi me nënshkrimin e tij.

Viti i ri shkollor kishte filluar më 14 shtator dhe në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, kishte marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar nga shkollat që t’i përmbyllin planprogramet e parapara për këtë gjysmëvjetor.

Hoti në ditën kur ka marrë vendimin për përfundim të parakohshëm të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021, ka thënë se këto ditë do të kompensohen në pushimin pranveror, që i bie të jetë në muajin prill apo në qershor.

Këtë vendim e ka përkrahur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.