Komisioni Hetimor për hidrocentrale nuk ka të drejtë ligjore të pezullojë asnjë leje e as licencë

Zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës ka rekomanduar që Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë nuk ka kompetencë ligjore për pezullimin e lëshimit të lejeve të reja dhe rilicencimin e hidrocentraleve.

Kuvendi përmes një interpretimi ligjor ka dhënë opinion se Komisioni Hetimor nuk ka të drejtë të pezullojë asnjë leje dhe se ky komision vetëm mund të japë rekomandime që do të mund të dalin në një raport përfundimtar të komisionit vetëm me kërkesë nga Kuvendi.

Kryesuesja e këtij komisioni, Eliza Hoxha, ka deklaruar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vepruar pandershëm derisa e ka pajisur këtë operator me licencë për prodhim të energjisë.

“Është e pandershme derisa dy javë më parë përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të pranishëm në këtë mbledhje thanë që KelKos nuk i ka përmbushur kushtet për marrjen e licencës”, tha Hoxha.

Po ashtu, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka kërkuar nga kryesuesja e komisionit që t’u dërgojë kërkesë për pjesëmarrje Ministrit Blerim Kuci dhe kryesuesit të ZRrE-së, Arsim Janova, që të paraqesin para komisionit dhe qytetarëve të gjitha procedurat që i mundësuan KelKos-it pajisjen me leje mjedisore e me licencë për prodhim të energjisë.

Komisioni është dakorduar që në mbledhjen e ardhshme të ftojnë ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuci, ish sekretarin e Ministrisë, Arben Citakun, sekretarin aktual të MEA-s, Fatos Qerimi, dhe Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Mbledhja do të mbahet të mërkurën në ora 11:00.