Ish-sekretari i NATO-s Javier Solana infektohet me coronavirus, Kurti i shkruan letër

Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se është mbushur një muaj prej kur ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana ndodhet në spital për shkak të infektimit me coronavirus.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka dërguar një letër, duke i uruar shërim të shpejt.

Mes tjerash, në këtë letër Kurti ka shkruar, se asnjëherë nuk do të harrohet roli i Solanës si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, “gjatë dy momenteve përcaktuese për popullin tonë: çlirimi ynë në vitin 1999, si dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008”.

Kjo është letra e plotë e Kurtit për Solanën që ia ka dërguar të enjten:

I nderuar z. Javier Solana,

Populli i Republikës së Kosovës dhe unë ndjejmë keqardhje për infektimin tuaj me koronavirusin e ri COVID-19. Më kanë informuar që ju ende jeni i shtrirë në spital por që gjendja juaj është përmirësuar. Mendja dhe lutjet tona janë me ju, dhe shpresoj që do ktheheni në shtëpi dhe te më të dashurit tuaj sa më shpejt që është e mundur.

Kjo pandemi ka ndikuar në të gjitha shtetet dhe popujt. Ajo si e tillë nuk njeh moshë, status shoqëror, fe apo kombësi. Të gjithë jemi të rrezikuar nga virusi dhe ky realitet e ka ndryshuar krejtësisht mënyrën e jetesës në përditshmërinë tonë. Shumica prej nesh jemi izoluar në ambiente të mbyllura, qoftë në zyre, shtëpi apo në dhoma të spitalit; po kalojmë shumë më pak kohë me të tjerët dhe më shumë kohë me vetveten. Këto ditë na është përkujtuar rëndësia e solidaritetit. Në këtë kohë të vështirë, duhet të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit dhe të luftojmë këtë betejë së bashku, ashtu që të dalim nga kjo më të fuqishëm.

Asnjëherë nuk do të harrojmë rolin tuaj si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-së dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, gjatë dy momenteve përcaktuese për popullin tonë: çlirimi ynë në vitin 1999, si dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008

Ju uroj shërim të plotë dhe të shpejt, si dhe shëndet të mirë pas kësaj.

Sinqerisht i juaji,

Albin Kurti

Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës