Hapet konkursi për bursa në universitete publike, s’ka ulje të kritereve

MASHTI-it ka njoftuar se është hapur konkursi për bursa për studentët e universiteteve publike, por sipas ministers nuk ka mundësi të ndryshohen kriteret. Ministrja e MASHTI-it, Hykmete Bajrami përmes një postimi në llogarinë e saj “Facebook”, ka njoftuar se janë përcaktuar kriteret ligjore dhe të njëjtat janë publikuar.

“Jam duke i lexuar reagimet dhe paralajmërimet e disa organizatave studentore se do të protestojnë pse s’e kemi ulur kriterin e notës mesatare. NUK KA MUNDËSI të ndryshohet ky kriter pasi është i përcaktuar me bazë ligjore. Thirrjet e juaj për protestë me kauzën që MASHTI duhet të ulë kriterin e notës mesatare për disa fakultete janë thirrje për të mos e respektuar ligjin. Nuk do ta bëj një gjë të tillë asnjëherë. Buxheti i bursave është buxhet i shtetit, si i tillë nuk shpërndahet/shpenzohet as për qejfe të dikujt as pse dikush organizon protesta. Nuk shpërndaj taksat e qytetarëve me nënshkrim timin edhe pse në MASHTI kjo ka ndodhur me dhjetëra herë. Unë punën timen gjithherë e mbështes në ligje dhe akte të tjera nënligjore. Si ministre e MASHTI-t që në ditët e para kam bërë përpjekje që të merrem me të gjitha problemet. Nëse kthehemi pak në histori, unë kurrfarë obligimi ligjor nuk kam pasur që ta shpall konkursin e anuluar nga ish-ministri aq me pak kur mjetet e bursave nuk ishin më në buxhetin e MASHTI-t por kam vendosur të dëgjoj kërkesat e juaja”, ka reaguar Bajrami.

Ajo ka treguar se në fillim të këtij viti në dëgjimet buxhetore me ministrin e financave ka arritur që të kthejë pjesën me të madhe të mjeteve financiare për bursat e vitit akademik 2019/2020 të cilat sipas saj veç kishin kaluar në buxhetin e shtetit si suficit nga MASHTI.

“MASHTI ka një Udhëzim Administrativ për ndarjen e bursave UA 14/2017 për të cilin edhe kam vërejtjet e mia dhe si të tillë e kemi pasë në plan që ta zëvendësojmë me një të ri por meqë nuk patëm kohë ky udhëzim është ende në fuqi dhe RESPEKTIMI I TIJ NUK KA ALTERNATIVË. Sipas këtij Udhëzimi 14/2017 ministri/ministrja cakton fushat me prioritet por për shkak të pandemisë unë vendosa që këtë vit të gjitha fushat të jenë me prioritet. Ne jemi të vetëdijshëm se pandemia ka prekur edhe ekonomikisht secilin nga ju. Ne nuk e patëm aspak të lehtë që të alokojmë 1,150,000.00 Euro për bursa duke qenë të sigurt se MASHTI prapë do të ketë mundësi të shpallë konkurs në fund të këtij viti, për vitin akademik 2020/2021. UA 14/2017 në Nën-paragrafin 1.2 të Nenit 3 të tij thotë se përfitues të bursave mund të jenë studentët të cilët kanë notën se paku 9.0 dhe në asnjë nen tjetër të tij nuk thuhet se ministri mund të vendosë ndryshe”, ka shkruar tutje ajo.

Në fund Bajrmai ka njoftuar se buxheti për bursa ështe 1,150,000.00 Euro, bursë do të përfitojë secili student i cili i plotëson kushtet sipas UA 14/2017 Për Ndarjen e Bursave dhe Konkursit të shpallur nga MASHTI me 29.05.2020./21Media

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!