Federata e Notit të Kosovës: I vetmi përfaqësues i autorizuar i FNK-së është Besnik Halili (DOKUMENT)

Federata e Notit të Kosovës ka reaguar edhe njëherë ndaj përfaqësimit të saj nga Astrit Haliti në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Botërore të Sporteve Ujore në Australi.

FNK përmes një reagimi të dërguar në KALLXO.com ka theksuar se Haliti nuk ka të drejtë të përfaqësoj FNK-në pasi i vetmi person i autorizuar është kryetari i zgjedhur më 24 shtator, Besnik Halili.

“Person i Autorizuar i Federatës Notit të Kosovës është z. Besnik Halili dhë këtë e kanë konfirmuar dhe ri konfirmuar institucionet relevante të RKS-së që kanë mandat zyrtar dhe ligjor mbi  këtë çështje… Nuk ka hapësirë për konfuzitet në këtë aspekt dhe deklarimet apo opinionet personale asesi nuk janë mbi Vendimet zyrtare institucionale të RKS-ës, andaj paraqitja e Astrit Halitit si President i Federatës Notit të Kosovës është jo legjitime paraqitja e rrejshme dhe askush nuk është mbi Ligjin”- thuhet në reagim.

Departamenti i OJQ-ve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka aprovuar dhe rikonfirmuar kërkesën për ndryshimin e përfaqësuesit të autorizuar të Federatës së Notit të Kosovës. Sipas këtij vendimi zyrtar, Besnik Halili i zgjedhur kryetar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm më 24 shtator njihet si përfaqësues i autorizuar i Federatës së Notit të Kosovës.

Astrit Haliti, i cili kishte mbajtur zyrtarisht pozitën e kryetarit deri më 24 shtator kishte paditur Ministrinë e Punëve të Brendshme/Departamentin e OJQ-ve duke propozuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për ndryshimin e personit të autorizuar.

Por Gjykata kishte refuzuar propozimin e Halitit.

Sipas dëshmive nga FNK, Besnik Halili ka marrë autorizimin edhe për xhirollogarinë bankare të Federatës së Notit të Kosovës.

Edhe Komiteti Olimpik i Kosovës ka konfirmuar që i vetmi person i autorizuar i Federatës së Notit është Besnik Halili i zgjedhur më 24 shtator.

Sipas dëshmive të FNK-së të bashkangjitura në reagim, MKRS më 22 nëntor kishte kërkuar që zyra e FNK-së të administrohet nga udhëheqësia e zgjedhur më 24 shtator pasi e njëjta ende nuk ishte liruar nga Haliti.

 

Më 24 shtator të këtij viti në kuadër të Federatës së Notit të Kosovës ishte organizuar kuvendi i jashtëzakonshëm nga i cili Besnik Halili është zgjedhur kryetar, Bashkim Haxhimusa dhe Emine Lllaoshi në pozitën e nënkryetarit.

Ky kuvend ishte monitoruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Organizimin e këtij kuvendi nuk e kishte konsideruar të rregullt, Astrit Halili, i cili kishte mbajtur pozitën e kryetarit të FNK-së.

KALLXO.com ka kontaktuar të martën me Astrit Halitin në lidhje me konferencën e mbajtur nga udhëheqësia e FNK-së.

“Nuk kam koment për gjëra të tilla. Ata e kanë uzurpuar Federatën, e kanë thy edhe zyrën. Ne po presim vendimin e gjykatës. Edhe pjesa se kush është i autorizuar vërtetohet besoj. Nuk dëshiroj të bëjë debate me njerëz që nga rruga janë bërë kryetar federate. Njerëzit që nuk janë kanë në sport asnjëherë duhet larg prej sportit me nejt. Politika duhet larg nga sporti me nejt”- tha Haliti për KALLXO.com.

Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar nga Federata e Notit të cilët e kanë konsideruar deklaratën e Halitit si atakim ndaj vendimeve institucionale.

“Opinionet personale të kujdo qoftë lidhur me këtë çështje si dhe deklarimet publike në formën e prezantuar: është thyer dera, uzurpuar zyra, ozurpu federata, nga njerëzit nga rruga janë mashtrim publik dhe direkt atakojnë vendimet institucionale të RKS-ës dhe tregojnë qartë se personi që i ka deklaruar nuk i ka respektuar vendimet institucionale, vendos opinionet e veta mbi to dhe tregojnë qartë se vazhdon të mos i respektojë dhe përfundimisht si çështje është në kompetencë të Institucioneve t`i zbatojnë vendimet e veta dhe të ndërmarrin masa adekuate”- thuhet në reagimin e Federatës së Notit.

Aktualisht në Australi është duke u mbajtur edhe Kampionati Botëror i Notit në pishina të shkurta në të cilin janë duke marrë pjesë dy sportistë nga Kosova.

Selektori i FNK-së, Enver Haradini tha të martën se nuk është pyetur për dërgimin e dy notarëve atje.

Ndërkaq për këtë, KALLXO.com kishe pyetur të martën Astrit Halitin i cili tha se sportistët janë pjesëmarrës meritor në këto gara.

“Sportistët janë shumë meritor dhe kanë qenë pjesëmarrës edhe më herët në nivele të tilla”- tha Haliti për KALLXO.com.

Federata e Notit të Kosovës ka thënë se ky deklarim i Haliti është ofendues për sportistët më të mirë të Kosovës pasi ata janë diskriminuar

“Deklarimi lidhur me sportistë pjesëmarrës në Melburn është gjithashtu mashtrim publik dhe tejet ofendues ndajë sportistëve më të mirë të RKS-ës Mal Gashi dhe Eda Zeqiri të cilët në kontunuitet janë të diskriminuar dhe në tersi të eliminuar nga përfaqësimi i RKS-ës në arenën ndërkombëtare”- thuhet në reagim.

Akuza e kundër akuza brenda Federatës së Notit për përfaqësimin e Kosovës në Australi