Akuza e kundër akuza brenda Federatës së Notit për përfaqësimin e Kosovës në Australi

24 shtator të këtij viti në kuadër të Federatës së Notit të Kosovës ishte organizuar kuvendi i jashtëzakonshëm nga i cili Besnik Halili është zgjedhur kryetar, Bashkim Haxhimusa dhe Emine Lllaoshi në pozitën e nënkryetarit.

Organizimin e këtij kuvendi nuk e kishte konsideruar të rregullt, Astrit Halili, i cili kishte mbajtur pozitën e kryetarit të FNK-së.

Sot përmes një konferencë për media, ‘udhëheqësia’ e zgjedhur në shtator kanë akuzuar Halitin për përfaqësim jo ligjor-ilegal të Federatës së Notit në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Botërore të Sporteve Ujore, që po mbahet në Australi.

Sipas nënkryetarit, Bashkim Haxhimusa, Astrit Halili i cili po merrë pjesë në këtë Asamble nuk është më përfaqësues i autorizuar i Federatës së Notit dhe nuk është dashur të jetë në Australi.

Haxhimusa ka thënë se aktualisht Federata e Notit të Kosovës, ‘ka dy kryetarë’, atë të zgjedhur më 24 shtator dhe Astrit Halitin.

“… tani e kemi rastin më aktual që në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Botërore të Notit, zotëri Astrit Halili merr pjesë. Një person jo zyrtar merr pjesë. Kjo i sjellë pasoja vet shtetit andaj kërkojmë nga organet kompetente këtu që të ndërmarrin masa. Ne tash i kemi dy kryetarë, njëri që është vet i quajtur kryetar dhe njëri që e ka dokumentacionin e ligjshëm që është person i autorizuar”- tha Haxhimusa.

KALLXO.com ka kontaktuar me Astrit Halitin i cili ka thënë se janë duke pritur vendimin e gjykatës për çështjen e zgjedhjes së kryetarit.

Haliti nuk komentoi gjatë duke shtuar që ‘politika duhet të rrijë larg sportit’.

“Nuk kam koment për gjëra të tilla. Ata e kanë uzurpuar Federatën, e kanë thy edhe zyrën. Ne po presim vendimin e gjykatës. Edhe pjesa se kush është i autorizuar vërtetohet besoj. Nuk dëshiroj të bëjë debate me njerëz që nga rruga janë bërë kryetar federate. Njerëzit që nuk janë kanë në sport asnjëherë duhet larg prej sportit me nejt. Politika duhet larg nga sporti me nejt”- tha Haliti për KALLXO.com.

Federata e Notit të Kosovës ka reaguar ndaj përfaqësimit të saj nga Astrit Haliti në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Botërore të Sporteve Ujore në Australi.

FNK përmes një reagimi të dërguar në KALLXO.com ka theksuar se Haliti nuk ka të drejtë të përfaqësoj FNK-në pasi i vetmi person i autorizuar është kryetari i zgjedhur më 24 shtator, Besnik Halili.

“Person i Autorizuar i Federatës Notit të Kosovës është z. Besnik Halili dhë këtë e kanë konfirmuar dhe ri konfirmuar institucionet relevante të RKS-së që kanë mandat zyrtar dhe ligjor mbi  këtë çështje… Nuk ka hapësirë për konfuzitet në këtë aspekt dhe deklarimet apo opinionet personale asesi nuk janë mbi Vendimet zyrtare institucionale të RKS-ës, andaj paraqitja e Astrit Halitit si President i Federatës Notit të Kosovës është jo legjitime paraqitja e rrejshme dhe askush nuk është mbi Ligjin”- thuhet në reagim.

Fis Murati, përfaqësues ligjor i Federatës së Notit, prezent sot në konferencë tha se Besnik Halili i zgjedhur në Kuvendin e Jashtëzakonshëm është njohur si përfaqësues i FNK-së edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga departamenti i OJQ-ve në kuadër në Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Murati ka thënë se Departamenti i OJQ-ve ka nxjerrë vendim dy herë për njohjen e Besnik Halilit si përfaqësues i autorizuar i Federatës së Notit të Kosovës.

Ndërkaq, selektori i FNK-së, Enver Haradini tha gjatë konferencës se aktualisht në Australi është duke u mbajtur edhe Kampionati Botëror i Notit në pishina të shkurta në të cilin janë duke marrë pjesë dy sportistë nga Kosova.

Haradini tha se ai nuk është pyetur për dërgimin e dy notarëve atje ndërsa tha se Astrit Haliti nuk ka qasje më në llogarinë bankare të Federatës.

“… unë asgjë nuk jam pyet, unë veç po them atë që e kam pa. Unë mendoj që nuk mund të merren masa ndaj sportistëve. Por as nuk e di se si kanë shkuar ata. Astriti nuk ka më qasje në llogarinë bankare të Federatës…”- tha ai.

Ndërkaq për këtë, KALLXO.com ka pyetur Halitin i cili tha se sportistët janë pjesëmarrës meritor në këto gara.

“Sportistët janë shumë meritor dhe kanë qenë pjesëmarrës edhe më herët në nivele të tilla”- tha Haliti për KALLXO.com.

Federata e Notit të Kosovës: I vetmi përfaqësues i autorizuar i FNK-së është Besnik Halili (DOKUMENT)

Shënim: Më 15.12.2022, në ora 16:50, në artikull është shtuar reagimi i Federatës së Notit të Kosovës.