Albin Kurti komenton aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar pas lajmit se ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së Kadri Veseli është ngritur aktakuzë nga Dhomat e Specializuara.

Kurti para gazetarëve tha se lufta e UÇK-së është e drejtë dhe beson në pafajësinë e saj, por që sipas tij, ajo që po shohim sot është pasojë e gabimeve të vjetra.

Sipas tij, aktakuzat e dëmtojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ajo çfarë po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të moçme. E di qe UÇK është luftë e drejtë, kundër një agresori dhe okupatori i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe veteranët e invalidët e luftëtarët janë më të drejtën e tyre e tonë”, tha ai.

Kurti deklaroi se takim i paralajmëruar më 27 qershor në Uashington nuk do të ishte i dobishëm në këto rrethana.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.