A ka pasur prezencë të grupeve ruse dhe grupeve terroriste në protestën e serbëve në Jarinjë?

Të dielën, më 18 dhjetor, një grup i serbëve kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë nga ana serbe në mbështetje të serbëve të Kosovës. Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ka dyshime që ka pasur prezencë të grupeve terroriste.

“Dyshime të tilla ka pasë dhe ka. Shërbimet e sigurisë, tonat dhe të partnerëve thonë që në Serbi tashmë ka një bazë të “Vagnerit” që normalisht nuk kanë ardhë me qëllime të mira dhe qëllimet të kqija mund të jenë ndaj Republikës së Kosovës” – ka thënë ai.

Por, Hoxha tutje ka thënë se meqenëse këto veprime kanë ndodhur në territorin e Serbisë, PK nuk mund të konfirmojë pjesëmarrjen e tyre.

“Ne nuk mund ta konfirmojmë as nuk mund ta mohojmë këtë punë që mund të ketë pasur grupe të tilla. Meqenëse ky veprim ka ndodhur në pjesën e Serbisë ne nuk mund të ofrojmë informacione të sakta se çfarë ka ndodhur në atë pjesë” – ka thënë ai.

Gjatë protestës së tyre njëri nga ta edhe u arrestua, madje në pamjet që u shfaqën drejtpërdrejtë nga protesta u dëgjua edhe shpërthimi i një mjeti shpërthyes.

Në po këtë pikë kufitare në anën e Kosovës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR, kishte krijuar një kordon me blinda dhe tela të gjembuar. KALLXO.com mësoi se në Jarinje ishin vendosur trupat amerikane të KFOR-it, ndërsa në Bërnjak ishin vendosur polakët dhe letenozët.

Pas përfundimit të protestës, KFOR kishte treguar se kanë pasur informacione për grupe kriminale brenda protestuesve në Jarinje.

Tensionet në veri filluan të shtohen në nëntor kur Qeveria paralajmëroi fillimin e periudhës për shqiptimin e gjobave ndaj pronarëve të veturave me targa ilegale. Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e gjyqësor.

Më 6 dhjetor 2022, zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor janë sulmuar me shok-bomba dhe me një granatë dore që sipas Policisë ishte e prodhuar në ish-Jugosllavi.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor.

Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.

Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Zyrtarët serbë kanë argumentuar se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet.Beogradi po ashtu ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244. Nga KFOR-i e kanë konfirmuar më 16 dhjetor se kanë pranuar kërkesën e Serbisë, të cilën kanë thënë se “po e shqyrtojmë”.

Derisa më 19 dhjetor, një ekip e një televizioni është fyer dhe është sulmuar me gurë nga persona të dyshuar në barrikadat e vendosura në Zubin Potok.