325 pacientë me COVID-19 të shtrirë në spitale, 11 në gjendje të rëndë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në klinikat dhe spitalet e përgjithshme janë duke u trajtuar 325 pacientë të infektuar me coronavirus.

SHSKUK njofton se 256 janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, prej tyre 242 me oksigjeno-terapi dhe 11 në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në njoftim bëhet e ditur se në QKUK janë 132 pacientë të shtrirë, 92 prej tyre COVID-19 pozitivë, 109 me oksigjeno-terapi.

Në Klinikën Infektive janë 86 pacientë, në atë të Pulmologjisë 39 pacientë, Pediatrisë 1 pacient dhe në Klinikën e Gjinekologjisë janë 6 pacientë.

Ndërsa në  spitalet e përgjithshme po trajtohen 193 pacientë, 164 prej tyre COVID-19 pozitivë, 133 me oksigjeno-terapi.

Në Spitalin Rajonal të Gjakovës ka më shumë pacientë të shtrirë në krahasim me spitalet tjera regjionale.  Në këtë Spital janë të shtrirë 59 pacientë, në Spitalin e Gjilanit 36 pacientë, në Spitalin e Prizrenit 35 pacientë, në atë të Pejës 33 pacientë, në Spitalin e Ferizajt 18 pacientë, në të Mitrovicës 7 pacientë dhe në Spitalin e Vushtrrisë 5 pacientë.

Dje në Kosovë është shënuar rekord infektimesh me coronavirus.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar së brenda 24 orëve një person me coronavirus ka vdekur dhe 1,370 mostra kanë rezultuar pozitive me coronavirus.

Aktualisht në vend janë 6,815 raste aktive me SARS-CoV-2.