Qysh u zgjodh ish-kandidati për asamblist kurator në Bienalen e Grafikës në Mitrovicë të Veriut?

Kryetari komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka folur për Bienalen e Grafikës në Mitrovicën e Veriut.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se për shkak se kjo Komunë nuk ka zyrtarë të prokurimit, ka bërë marrëveshje me Komunën e Podujevës dhe atë të Kamenicës për t’i ndihmuar lidhur me Bienalen.

“Së pari ka kaluar në votim në Kuvend, e kemi lypë miratimin e delegatëve, Bienalja është financuar, shuma më e madhe është financuar nga Ministria e Kulturës” – tha Atiq.

Në pyetjen se si është zgjedhur Tafil Peci, ish-kandidat për Asamble të Komunës së Mitrovicës së Veriut, nga Lista Guxo, ai tha se Peci është përfaqësues i Bienales.

“Para dy vitesh është organizu në Komunën e Mitrovicës së Jugut, tash hera parë që është mbajtë në Mitrovicën e Veriut, një event kulturor që e ka përkrah Komuna. Bienalja si ogranizim ka qenë ide e tij (Tafil Pecit), pronar është ai. Ne kemi dashur që të përkrahim këtë aktivitet kulturor për shkak që me ia ndërru ekosistemin e komunës, jo veç siç njihet për probleme” – ka thënë Atiq.

Ai ka sqaruar se kërkesa për organizimin e këtij eventi ka shkuar fillimisht tek ai dhe pastaj e kanë dërguar në Kuvend.

“Na i kemi nda 3 mijë euro grant për këtë event” – tha Atiq

Ndërsa në një përgjigje për Kallxo.com, Peci ka thënë se nga ky grant nuk ka marrë asgjë dhe se nuk ka qenë pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, por i Listës ‘Guxo’.

“Po kam qenë përfitues i grantit 3000 për kthimin e veprave në 35 vende të botës, si dhe çmimin e Danila Savinit dhe 2 çmime tjera. Unë s’kam marrë asnjë mjet për veti, përkundrazi kam edhe 7,000 euro obligime për kthimin e veprave të 100 pjesëmarrsve nga mbarë bota. Bienalja ka qenë ndërkombëtare dhe aktivitet i suksesshëm. Sdi çka po i pengojka ndokujt. Sa i perket LVV, Tafil Peci s’është anëtar i asnjë partie, ju lutem shkruani partive dhe vërtetoni. Ne emër të Listës Guxo kam kandiduar në vitin 2021 për Asamble të Komunës së Mitrovicës dhe jam largu nga jeta politike. Kam hapur galeri. Ata po mendojnë se unë po shkoj ndonjë pozitë në komunë” – ka thënë Peci.