Ilustrim: Pixabay

Vdes legjenda e futbollit kosovar

Ka vdekur legjenda e futbollit kosovar në moshën 83 vjeçare, Bahri Shemsedini.

Shemsedini është i njohur si njëri prej futbollistëve më të mirë të Ferizajt dhe të Kosovës, duke dhënë kontribut në rritjen e futbollit.

Shemsedini ishte angazhuar si futbollist pastaj si trajner.

Federata e Futbollit e Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes së Bahri Shemsedinit, duke shkruar se kontributi i tij në futbollin e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm.

Më poshtë mund të shihni telegram ngushëllimin e plotë të FFK-së:

E nderuara Familje e Bahri Shemsedinit!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit ferizajas, Bahri Shemsedini, në moshën 83-vjeçe, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella.

Kontributi i Bahriut në futbollin e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm dhe shumë dimensional, si në kohën kur ishte futbollist e gjithashtu edhe si trajner, veçmas në kohën e mëvetësimit. Bahriu ishte sportist me virtyte të larta dhe që asnjëherë nuk ngurroi që të japë këshilla për brezat e rinj të futbollit!

Gjatë tërë kohës sa shërbeu në futboll u dallua si punëtor i madh, teksa gëzoi respekt jo vetëm në Ferizaj por kudo, andaj vepra dhe kontributi i tij në futboll do të mbesin gjithmonë në kujtesën e dashamirëve të këtij sporti.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së