Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK. FOTO: AGK/Facebook.

Kërcënohet me jetë gazetari Vullnet Krasniqi, reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas një kërcënimi me jetë që iu është bërë gazetarit, Vullnet Krasniqi.

AGK ka thënë se Krasniqi është kërcënuar me vrasje nga një qytetar i Luginës së Preshevës, nëpërmjet një videoje të publikuar në platformën Tik Tok.

“Unë jam në Prishtinë, dhëmbët kam me t’i shkulë me dane, kam me ta q* f *miljen, këtu kam me ta rrasë plumbin…Ta di adresën ku e ke saktë, ta dish, të banesës, mos shko në katund, mos thirr polici…” –  dëgjohet ndër të tjera duke thënë personi në video sipas AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se ka kontaktuar me gazetarin Krasniqi dhe se i njëjti aktualisht është duke e raportuar kërcënimin në Policinë e Kosovës.

“Për AGK-në, një kërcënim i tillë është jashtëzakonisht shqetësues, i papranueshëm dhe i bëjmë thirrje urgjente Policisë së Kosovës që të marrë masat e duhura ta lokalizojë kërcënuesin e gazetarit Krasniqi” – tha Asociacioni.

Tutje është thënë se AGK është e shqetësuar për sigurinë fizike të Krasniqit dhe ftoi Policinë e Kosovës që t’i ofrojë mbrojtjen e duhur.