Grupi i vullnetarëve që mobilizuan diasporën gjatë coronavirusit

Organizata “Prizreni thërret” gjatë kohës së pandemisë ka punuar për të foruar ushqim për komunitetin rom, ashkali e egjiptas të cilët jetojnë në kushte të vështira.

Orhan Vickollari së bashku me 12 vullnetarë kishin punuar së bashku për të u siguruar të paktën ushqim familjeve në nevojë gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

“Kemi 12 vullnetarë, të gjithë punojnë pa pagesë. Gjatë kohës së pandemisë kemi dalë në terren në rrethinë të Prizrenit dhe kemi shpërnda te skamnorët, jetimat”, tha Vickollari.

Tutje ai shtoi se paratë i kanë grumbulluar me anë të thirrjeve në diasporë për ndihmë.

“Ne si popull kosovar dhe si komunitet jemi me kushte më të dobëta dhe kur kemi tregu rastin që na ka nxanë pandemia pa u përgatitë. Paret i kemi bërë përmes diasporës përmes rrjeteve sociale. Kemi kërkuar ndihmë prej vëllezërve dhe na janë përgjigjë”, shtoi ai.

Në pamjet e transmetuara në KALLXO.com shihet edhe gjendja e jetesës së familjeve të komunitetit, rom, ashkali e egjiptas.

Sipas Vickollarit, ky komunitet ka nevojë për ndihmë për shkak të varfërisë.

Madje ai tregoi edhe për ndihmat e shpërndara për familjet në nevojë.

“700 thasë miell i kemi shpërndarë në Prizren dhe në rrethinë të Prizrenit. Kush na është lajmëruar i jemi përgjigjur thirrjeve. Reagimi i tyre, na kanë prit shumë mirë edhe pse një familje pa miell e pa gjëra ushqimore normal që gëzohen”, tha ai.

Më tej përmendi edhe se pavarësisht frikës nga infektimi, prapë kanë dalë të mobilizuar dhe kanë ndihmuar familjet.

“Kemi pas frikë, por jemi forcuar në vete dhe kemi dalë. Ka qenë vështirë por problemi i jonë me ju gjetë skamnorëve me ju gjet vëllezërve tonë në ato momente nuk kemi dëgju asnjë problem, jemi mobilizuar me maska e me dorëza dhe jemi shku në cdo shtëpi që kanë pas nevojë”, shtoi Vickollari tutje.

Ai shtoi se 36 familje janë ndihmuar nga grupi “Prizreni thërret”.

“Më së shumti i kemi zgjedh 36 familje, dy herë në javë e kemi rregulloren dy herë në javë kemi bukë, oriz, ve, ditën tjetër, suxhuk vezë ushqime të ftohta. Me mjaftu ushqimi nuk mjafton për shkak të kushteve por pak me ju ndihmu kjo pak u ndihmon”, shtoi Vickollari.