Ilustrimi: Jeta Dobranja për KALLXO.com

Si mund t’i përgjigjet Kosova fushatës çnjohëse të Serbisë?

Kosova duhet të gjejë një mënyrë për tu përballur me fushatën e çnjohjeve të Kosovës nga Serbia, duke sfiduar të pavërtetat e saja dhe të jetë e hapur ndaj pasojave të saj.

Të Martën, me 3 Mars, Ministri i Punëve të Jashtme serbe Ivica Daçiç pohoi se Sierra Leone kishte tërhequr njohjen e saj ndaj Kosovës si një shtet të pavarur, duke shtuar se kjo çnjohje nënkupton se më pak se gjysma e vendeve anëtare të KB tani e njohin Kosovën.

Serbia e ka filluar këtë fushatë çnjohjeje që nga viti 2017 dhe pretendon se deri më tani 18 shtete e kanë tërhequr, pezulluar apo ngrirë njohjen e shtetësisë së Kosovës, megjithëse ky numër mund të jetë subjekt i diskutimeve.

Fushata u intensifikua atëherë kur Serbia e kuptoi hezitimin e Kosovës për të themeluar Asociacionin e Komunave Serbe (pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke i konsideruar aspektet e saja si jokushtetuese) dhe para diskutimeve të pretenduara për shkëmbime territoresh në vitin 2018.

Serbia po e shfrytëzon çnjohjen e Kosovës për të arritur dy qëllime. Fillimisht, po kërkon të bllokojë qasjen ndërkombëtare të Kosovës, duke e zvogëluar numrin e shteteve që do të bashkëveprojnë me ose do të votojnë për Kosovën në organet shumëpalëshe.

Shumica e organizatave ndërkombëtare dhe rajonale kërkojnë një të tretën ose shumicën e kualifikuar për të kaluar mocione dhe sa më shumë shtete që tërheqin njohjen e tyre ndaj Kosovës, aq më e vogël është mundësia e anëtarësimit të Kosovës në organizata të tilla.

Së dyti, Serbia po kërkon të forcojë fuqinë negociatore në bisedimet me Kosovën të udhëhequra nga BE, ose duke marrë një marrëveshje më të mirë për serbët e Kosovës apo edhe duke krijuar një situatë ku Kosova përfundimisht do të pajtohej me një lloj rregullimi territorial në baza etnike.

Serbia përdor një narrativë të sofistikuar diplomatike si pjesë e kësaj fushate. Vendet të cilat dyshohet se kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës, asnjëherë nuk e kanë arsyetuar vendimin e tyre duke përmendur mungesën e kapacitetit të shtetësisë. Përkundrazi, ata kanë miratuar arsyet dhe argumentet e ofruara nga Serbia dhe aleatët e tyre ndërkombëtarë, duke arsyetuar tërheqjen e njohjes në dy grupe argumentesh.

Argumenti i parë, ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës vihet në pikëpyetje dhe, argumenti i dytë, kërkohet ideja e njohjes së ‘parakohshme’ dhe statusit të pazgjidhur të Kosovës. Në këtë narrativë, dialogu i lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve supozohet se përcakton statusin e ardhshëm të Kosovës.

Këto arsye për çnjohjen e Kosovës – shpesh të shprehura pothuajse në mënyrë identike, të cilat ngjallin dyshime se ato mund të jenë hartuar nga diplomatët serbë – nuk janësolide dhe të mirëarsyetueshme për çnjohjen e Kosovës, për dy arsye të thjeshta.

Së pari, Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përben shkelje të ligjit ndërkombëtar, domethënë njohja e Kosovës nga mbi 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara ishte në të vërtetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Qysh atëherë, Kosova as nuk ka humbur ndonjë nga atributet thelbësore të shtetësisë për të arsyetuar tërheqjen e njohjes.

Së dyti, dialogu i lehtësuar nga BE-ja  nuk ka të bëjë me statusin politik të Kosovës – ka të bëjë me përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve në Kosovë.

Me pak fjalë, çnjohja ekziston si mjet diplomatik. Fushata agresive diplomatike e Serbisë për çnjohjen e Kosovës jo vetëm që minoi bisedimet e udhëhequra nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve, por gjithashtu rezultoi në përshkallëzimin e tensioneve etnike në rajon duke rishfaqur rivalitetet gjeopolitike midis fuqive globale në Ballkan.

Përgjigja e Kosovës

Kur Kosova vendosi taksën për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, qëllimi primar i saj ishte kryesisht si përgjigje e fushatës së çnjohjeve, si dhe fushatës së Serbisë për të parandaluar Kosovën që t’i bashkohet INTERPOL-it.

Mirëpo, që nga atëherë qeveria e Kosovës nuk ka qenë efektive në arsyetimin e vendosjes së taskës. Refuzimi se çnjohjet nuk kanë ndodhur dhe duke e sqaruar se taksa është vendosur si mjet i fundit për të mbrojtur interesat jetike të vendit, i ka armiqësuar partnerët e Kosovës dhe i ka ofruar arsye të reja Serbisë për tu parë si palë ‘konstruktive’.

Kosova ka humbur pothuajse një mundësi gati dy vjeçare për të tërhequr vëmendjen për fushatën e çnjohjeve dhe të shpërfaqë agjendën serbe jo vetëm në minimin e shtetësisë së Kosovës, por edhe në hedhjen jashtë binarëve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja duke shpresuar në arritjen e një marrëveshjeje më të mirë.

Në përpjekje për ta tejkaluar këtë ngërç, Kryeministri Kurti ka propozuar heqjen me faza dhe të kushtëzuar të taksës dhe zëvendësimin e saj me masa reciprociteti.

Ky ishte një veprim i mençur, por u bë në një kohë delikate. Aktualisht, SH.B.A po e i bën presion Kosovës për heqjen e taksës në mënyrë të pakushtëzuar në një përpjekje për rinisjen e dialogut me Serbinë. Me siguri që presioni i bërë nënkupton imponimin në arritjen e një marrëveshjeje, e cila mund të rezultojë me njohje reciproke por vetëm Zoti mund ta dijë se cila do të ishte kostoja që do ta paguante Kosova.

Heshtja e aleatëve të Kosovës për fushatën e çnjohjeve ngre pyetjen nëse ata kërkojnë ta dëmtojnë Kosovën, duke i lënë ata të hapur për të bërë lëshime gjatë biseedimeve me Serbinë.

Mbështetja ndërkombëtare për shtetësinë e Kosovës ka qenë gjithmonë e kushtëzuar me lëshimet e brendshme – qoftë ajo në ngritjen e institucioneve, mbrojtjen e pakicave, investimet ekonomike ose vendimet e tjera strategjike.

Marrëdhënia vasale e Kosovës me SH.B.A. dhe fuqitë e tjera evropiane nën kujdestarinë e tyre ndër vite ka qenë e dobishme për një farë mase, duke ofruar siguri, stabilitet dhe mbrojtje shumë të nevojshme të Kosovës, por ajo ka ardhur me koston e minimit të vetëvendosjes në raport me çështjet e brendshme dhe të jashtme, dhe në një varësi të thellë nga forcat e jashtme.

Më në fund, vendimi i Kurtit e ka ekspozuar edhe më shumë dallimin brenda koalicionit si dhe midis partive opozitare, i cili mund të sjellë pasoja shumë të mëdha për stabilitetin e qeverisë aktuale dhe vendit në përgjithësi.

Mundësitë e Kosovës tani janë të kufizuara, megjithatë, akoma ka hapësirë për manovrim.

Qeveria e Kosovës mund të heqë plotësisht taksën në këmbim të një konsensusi kombëtar mbi parimet, procesin dhe përfaqësimin në dialogun me Serbinë. Qeveria gjithashtu duhet të kërkojë siguri nga BE-ja dhe SH.B.A., se raundi i parë i dialogut duhet të përqendrohet në zbatimin e marrëveshjeve teknike ekzistuese, si masa për të rivendosur besimin midis dy palëve.

Serbia, si duket, nuk do të ndalojë fushatën e saj për çnjohjet por nëse Qeveria e Kosovës heq krejtësisht taksën për një periudhë të kufizuar, mund ta vë Serbinë nën presion për të pezulluar agresionin e saj diplomatik kundër Kosovës.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës duhet të hartojë urgjentisht një strategji të re të politikës së jashtme, e cila duhet ta ketë si prioritet zhvillimin e një kundër-narrative të re strategjike për të dekurajuar narrativën e Serbisë.

Qeveria duhet të ndajë më shumë burime, ekspertizë dhe të dërgojë të ngarkuar specialë jashtë vendit për ti përforcuar marrëdhëniet ekzistuese diplomatike dhe, aty ku është e mundur, edhe t’i zgjerojë ato. Qeveria duhet të konsiderojë themelimin e një agjencie për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtar, i cili do të ofronte mbështetje teknike dhe jo-financiare për rajone të ndryshme strategjike për Kosovën.

Ndërkohë që këto masa mund të rrisin fuqinë ndërkombëtare të negociatave në Kosovë, ato nuk mund të jenë një recetë suksesi përderisa të ketë një konsensus dhe koordinim më të gjerë kombëtar midis palëve kryesore në Kosovë për interesat jetike të vendit, përfshirë çështjet e politikës së jashtme.

Një unitet i tillë nuk ka të ngjarë të ndodhë nëse nuk bëhën lëshime të rëndësishme nga të gjitha palët në frontin e politikës së brendshme dhe të jashtme, gjë që mund të jetë e vështirë, por jo edhe e pamundur.