
Tarifat e Trumpit mund ta çojnë çmimin e një iPhone në 2.300 dollarë
Shtete anembanë botës kanë kërcënuar të nxisin luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara, pasi tarifat gjithëpërfshirëse të presidentit Donald Trump ngjallin frikën e rritjes së çmimeve në tregun më të madh të konsumit në botë dhe një rënie ekonomike globale – raporton agjencia Reuters.
Masat ndëshkuese të shpallura nga presidenti Trump të mërkurën shkaktuan rënie të thepisur në tregjet financiare botërore dhe nxitën deklarata dënuese të liderëve të tjerë që llogariten me fundin e një epoke dekadash të liberalizimit të tregtisë.
Por, kishte mesazhe kundërthënëse nga Shtëpia e Bardhë nëse tarifat duhej të jenë të përhershme apo se janë taktikë për koncesione, me presidentin Trump i cili deklaroi se “na japin fuqi të madhe për të negociuar”.
Tarifat e SHBA-së do të tejkalonin barrierat më të larta tregtare të më shumë se një shekulli: një tarifë bazë prej 10% për të gjitha importet dhe tarifa më të larta të synuara për disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit.
Kjo mund të rrisë çmimin për blerësit amerikanë të çfarëdo produkti, nga kanabisi te atletet e vrapimit, por edhe deri te iPhone i Apple. Një iPhone i avancuar mund të kushtojë afro 2.300 dollarë nëse Apple ua bart kostot konsumatorëve, bazuar në parashikimet nga Rosenblatt Securities – raporton Reuters.
Bizneset po mundohen të përshtaten. Prodhuesi i automjeteve Stellantis ka bërë të ditur se do të largojë përkohësisht punëtorët amerikanë dhe do të mbyllë fabrikat në Kanada dhe Meksikë, ndërsa General Motors (GM) ka njoftuar se do të rrisë prodhimin në SHBA.
Banka e investimeve JP Morgan tani sheh një shans prej 60% që ekonomia globale të zhytet në recesion deri në fund të vitit, nga 40% sa ishte mundësia e mëparshme.
Kryeministri kanadez, Mark Carney ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë braktisur rolin e historik si kampion i bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.
“Ekonomia globale është thelbësisht e ndryshme sot nga ajo që ishte dje.” – ka paralajmëruar ai ndërsa kumtoi një grup të kufizuar kundërmasash.
Edhe shtetet e tjera kanë dalë dhe po shqyrtojnë kundërmasat ndaj Vendimeve të Presidentit amerikan.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com