Shpallja e aktgjykimit ndaj zyrtarit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës (09.08.2022), Foto: KALLXO.com

Shpallet i pafajshëm zyrtari i Komunës së Prishtinës, i akuzuar për manipulim me leje ndërtimore

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur të pafajshëm Gëzim Ferizin, zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, i akuzuar për manipulim me leje ndërtimore.

Fatime Dërmaku, gjyqtarja e rastit konsideron se prokuroria ka dështuar të provoj se vepra që e ngarkon të akuzuarin Ferizi është kryer.

”I akuzuari Gëzim Ferizi lirohet nga akuza sepse nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën – keqpërdorim i detyrës zyrtare” – tha gjyqtarja Dërmaku.

Sipas prokurorisë, Gëzim Ferizi, duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar ka përpiluar dy aktvendime të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve banesore afariste, objekti A dhe C, në lagjen ”Mati 1”, në Prishtinë.

Gëzim Ferizi gjithashtu akuzohet nga Prokuroria se ka përpiluar edhe një aktvendim tjetër të lejes ndërtimore, ku investitor është “NNH Morina IB” për objektin B, në lagjen “Mati 1”.

Sipas aktakuzës, pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, pasi në pjesën grafike kishte përfshirë një ngastër kadastrale, e cila evidentohet në Komunën e Prishtinës si rrugë.

Mbi këtë rrugë u është mundësuar investitorëve të lartcekur të ndërtojnë objekte banesore e afariste, me ç’rast të dëmtuarës Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.