Pse regjimeve autoritare u pëlqen të blejnë klubet e futbollit angleze?

NEWCASTLE UNITED ruan një vend tragjiko-komik në mendjet e tifozëve të futbollit anglez. Në dukje, ky klub mund të shkaktojë një rrëmujë nga çdo situatë.

Pavarësisht nga një bazë e madhe dhe e pasionuar e tifozerisë që ka, ky klub nuk i ka përmbushur pritshmëritë e kërkuara për gati një shekull.

Herën e fundit kur ishte afër një suksesi në Premier Ligë, në vitin 1996, e katranosi një epërsi prej 12 pikësh dhe menaxheri i saj, Kevin Keegan, doli jashtë vetvetës pas disa talljeve të buta nga Alex Ferguson, rivali i tij në Manchester United. Pavarësisht historisë së tij të pafat, më 7 tetor një konsorcium i mbështetur nga fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite, i cili kryesohet nga Muhammad bin Salman, princi i kurorës i mbretërisë, njoftoi se kishte blerë klubin për 305 milion funta (415 milion dollarë).

Ky konsorcium premton ta sjellë lavidinë e shumëdëshiruar, të paguar nga rezervat e saj të mëdha të parave.

Kështu Newcastle i bashkohet Chelseas dhe Manchester Cityt si skuadra e fundit e Premier Ligës angleze pronarët e të cilëve janë të lidhur me një qeveri autokratike (për të mos përmendur të tjerët që kanë hartuar marrëveshje fitimprurëse sponsorizimi me shtete grabitqare, si Arsenali dhe Ruanda).

Pse regjimet autoritare janë të interesuara për klubet angleze të futbollit?

Një arsye është projektimi i fuqisë së butë. Në librin e saj, “Njerëzit e Putinit” (Putin’s People), Catherine Belton pretendon se presidenti i Rusisë e udhëzoi Roman Abramovichin, një oligark që ishte pasuruar nën patronazhin e tij, për ta blerë Chelsean, një ekip mesatarisht i suksesshëm në Londrën perëndimore. (Z. Abramovich e mohon këtë.) Kremlini, thotë znj. Belton, kishte vendosur që mënyra për të fituar pranim në shoqërinë britanike ishte nëpërmjet dashurisë më të madhe të vendit: futbollit.

“Që nga fillimi, blerja kishte për qëllim një pozicion dominues për ndikimin rus në Mbretërinë e Bashkuar,” shkruan ajo.

Të kesh nën pronësi një klub të profilit të lartë evropian gjithashtu u jep regjimeve më shumë ndikim brenda FIFA-s, organit drejtues të futbollit global.

Kjo mund të jetë dëshmuar e dobishme kur Rusia ka konkurruar me sukses për Kupën e Botës 2018. E njëjta gjë vlen edhe për Katarin, i cili në vitin 2011 bleu ekipin e Paris St Germain, ekip i profilit më të lartë të Francës, dhe që do të jetë nikoqire e konkursit vitin e ardhshëm-pavarësisht se shumë njerëz argumentojnë se një shtet i vogël e me shkretëtirë me të dhëna të diskutueshme të të drejtave të njeriut është një përfitues i papërshtatshëm i kësaj ngjarjeje.

Amnesty International e quan marrëveshjen e Newcastle “një përpjekje e qartë e autoriteteve saudite për t’i shpëlarë të dhënat e tyre të tmerrshme mbi të drejtat e njeriut përmes magjepsjes në lojën e futbollit të ligës më superiore”.

OJQ-ja përmend prirjen e vendit për mbylljen dhe ngacmimin e kritikëve, shtypjen e grave dhe vrasjen brutale të mbështetur nga ky shtet në vitin 2018 të gazetarit Jamal Khashoggi.

Të gjitha këto mund të jenë të vërteta. Por ka ende një çështje biznesi që mund të avancohet. Anglia është shtëpia e ligës më të ndjekur dhe më të pasur të futbollit vendas në botë. Marrëveshja e fundit e Premier League me transmetuesit – burimi më i madh i të ardhurave të klubeve – vlerësohet të jetë 3.2 miliardë funta angleze (4.4 miliardë dollarë) në sezon, gati dyfishi i 2.1 miliardë eurove (2.4 miliardë dollarë) që sjell liga më e mirë e Spanjës.

Kur t`i shtohen kësaj shume edhe faturat e biletave të spektatorëve, shitjes së dresave dhe të ngjashme si këto, atëherë edhe një ekip futbolli mund të jetë një sipërmarrje fitimprurëse. Në vitin 2008, Sheikh Mansour, një anëtar i familjes mbretërore të Abu Dhabit, besohet se ka paguar rreth 150 milionë funte për Manchester Cityn.

Vlerësohet se që nga atëherë sheiku ka shpenzuar rreth dy miliardë funta më shumë për lojtarë, trajnerë dhe objekte të klasit botëror, të cilat i kanë sjellë klubit pesë trofe të Premier League. Në vitin 2019 ai shiti një aksion të vogël në një fond të kapitalit privat, i cili vlerësoi të gjithë klubin në 3.7 miliardë funte.

Ndërkohë që klub i Newcastle i shtohet listës në rritje të klubeve super të pasura angleze, blerja e sukseseve do të bëhet më e vështirë.

Klubet tani janë disi të kufizuara nga rregullat e “fair-play financiar”, që do të thotë se, në përgjithësi, ata nuk mund të shpenzojnë më shumë sesa fitojnë (edhe pse disa pronarë të pasur kanë gjetur mënyra krijuese, deri tani ligjore për këtë).

Premier League gjithashtu i ndalon shtetet të jenë tepër me ndikim brenda klubeve të saj të futbollit.

Ishte ky shqetësim që pengoi ofertën e mëparshme të sauditëve për Newcastle në vitin 2020. Këtë herë liga u qetësua nga garancitë “ligjore të detyrueshme” se mbretëria e Arabisë Saudite nuk do të ndërhyjë në udhëheqjen e klubit. Kush thotë se sporti dhe politika nuk duhet të përzihen.

https://www.economist.com/the-economist-explains/2021/10/08/ëhy-do-authoritarian-regimes-like-to-buy-english-football-clubs?