![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2021/11/121512691_mediaitem121512687-720x405.jpg)
Foto: REUTERS
Gazetari amerikan dënohet me 11 vjet burgim në Mianmar
12.11.2021 - 09:50
Një gjykatë ushtarake në Mianmar dënoi gazetarin amerikan, Danny Fenster, me 11 vjet burgim.
Fenster u shpall fajtor për shkelje të ligjit të imigracionit, aleanca të paligjshme dhe nxitje të mospajtimit me ushtrinë.
Në fillim të javës, kundër tij u ngritën edhe dy akuza shtesë, për kryengritje dhe terrorizëm – vepra këto që mund të dënohen me burgim të përjetshëm.
Gjyqi i tij për akuzat e reja do të fillojë më 16 nëntor.
Fenster, 37 vjeç, redaktor i ueb-faqes Frontier Myanmar, është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Jangonit, në muajin maj.
Ai është në mesin e dhjetëra gazetarëve të arrestuar në Mianmar, prejse ka ndodhur puçi ushtarak në muajin shkurt.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për lirimin e Fensterit./REL