Një Grumbull Eshtrash Gjenden në Shkozë

Janë gjetur eshtra në fshatin Shkozë të Malishevës, pasditen e së hënës, teksa një banor i këtij vendbanimi, po punonte në një kanal. Sipas një komunikate të policisë dyshohet se janë eshtra njerëzish. Arben Emini, udhëheqës i Departamentit të Identifikimit në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, thotë se Njësia për Persona të Zhdukur dhe Krime Lufte ka dalë në terren dhe do t’i sjellë eshtrat në departament, ndërsa vetëm pas verifikimit mund të flitet se a janë eshtra njerëzish dhe cilës periudhë kohore i takojnë.