Burimi i Fotos - Besa Shahini - Ministre e Arsimit e Republikës së Shipërisë

Zyrtarja e MAShT ankohet për përfaqësimin e Ministrisë në Konferencën Rajonale për Edukim

Një zyrtare e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po konsideron që kjo Ministri është përfaqësuar me një delegacion të gabuar në konferencën rajonale për edukim.

Më 3 dhe 4 qershor të këtij viti, në Beograd u mbajt  takimi i 8-të Ministror i Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsimin dhe Trajnimin, ku MAShT u përfaqësua nga pesë zyrtarë.

Konferenca e organizuar nga Komisioni Evropian kishte për temë kyqe “Edukimin në fëmijërinë e hershme dhe kujdesin”.

Megjithatë, në këtë konferencë nuk ishte pjesëmarrëse Labërie Luzha, Ushtruese e Detyrës së Udhëheqëses së Divizionit për Arsimin Parashkollor.

Në një postim në Facebook, që e kishte bërë Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini lidhur me këtë konferencë, Labërie Luzha komentoi duke u ankuar për mospjesëmarrje.

“Ju lumtë juve ministre, ndërsa ne Kosova as nuk shpresojmë që të rrisim pjesëmarrjen e fëmijëve në këtë nivel edukimi, përderisa në këtë konferencë nga MASHT morën pjesë zyrëtarë të ndryshëm, por jo ata që punojnë dhe udhëheqin këtë nivel edukimi. Në konferencat e tilla do të duhej të ishin ata që duhet e jo ata që për dikë janë të përshtatshëm. Ju përgëzoj juve që e bëtë publik fokusin e konferencës për këtë vit”, shkroi Luzha në ‘Facebook’.

 

E pyetur nga KALLXO.com për këtë çështje ajo përsëriti që në konferencë kishte persona jo të duhur.

“Nuk kam qenë e ftuar e as nuk kam pasur informatë. Me fokus ka qenë edukimi i hershëm, ne jemi divizon për edukim parashkollor dhe nuk kemi informatë. Atje kanë shku prej arsimit të lartë, arsimi profesional e të tjerë – e të tjerë. Ne ballafaqohemi divizioni ynë me këto gjëra e kur diskutohet në nivel rajonal ne nuk ftohemi. Kanë shkuar njerëz që nuk është dashtë me shku”, tha ajo.

KALLXO.com merr vesh se pjesëmarrës në këtë konferencë ishin Fadile Dyla u.d. drejoreshë e arsimit të lartë; Lulevera Behluli, u.d. udhëheqëse e divizionit për gjithpërfshirje ; Valbona Fetiu , u.d. udhëheqëse e divizionit për arsim profesional ; Yllza Mehmeti, nga departamenti i shkencës, dhe Kumrije Gagica nga NARIK.

KALLXO.com poashtu ka siguruar agjendën e konferencës e cila kishte për diskutim pikat e edukimit të hershëm dhe njohjes së diplomave, me të cilën punë merret NARIK. Megjithatë në konferencës nuk pati pika që lidhen me departamentin e shkencës dhe arsimit të lartë.

Në përgjigje për KALLXO.com Këshilltari i Ministri të Arsimit, Valmir Gashi ka deklaruar se është në diskresion të ministrisë dërgimi i delegacioneve në këso lloj konferenca.

Ai poashtu çështjen e ngritur nga Labëria e ka quajtur dezinformatë ndërsa tha se tema e takimit ka pasur të bëjë “në përgjithësi për arsimin parauniversitar dhe jo vetëm edukimin e hershëm”.

“Delegacioni ynë ka qenë publik, ndërsa çështja e përfaqësimit është çështje e Ministrisë se kë e vlerëson se është më e rëndësishme të perfaqësojë Ministrinë në organizime të tilla dhe ju lutem mos bini pre e dezinformatave të ndonjë zyrtari të MAShT-it”, tha Gashi

Ai shtoi se të gjitha shpenzimet e këtij udhëtimi janë mbuluar nga organizatori, pra nga Komisioni Evropian.