Gjykimi i Violeta Januzi per Licencimin e bastores ne zonen historike te Prizrenit

Zyrtarja Akuzohet për Bastoren në Zonën Historike në Prizren

Violeta Januzi, po përballet me akuzat e prokurorisë për keqpërdorim detyre sa ishte inspektore e licencimit në Departamentin e lojërave të fatit, pasi licencoi bastoren “Xhoiloto” në Prizren.

Në seancën e sotme fillestare, Januzi, nuk e pranoi fajësinë. “Ndihem e pafajshme”, tha ajo.

Januzi po ngarkohet për kohën sa ishte në cilësinë e inspektores së licencimit në Departamentin e lojërave të fatit pranë Administratës Tatimore të Kosovës në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e akuzuara ka tejkaluar autorizimet e saj dhe ka keqpërdorur pozitën zyrtare më 12 nëntor 2015, në Prishtinë pasi që ka bërë shënimin për aktivitetet për lokalin dhe lokalet tjera të bastrores “Xhoiloto” e cila gjendet në Prizren në rrugën “Vranduk”, ku ka konstatuar se ky subjekt afarist i plotëson kriteret e bastores për t`u licencuar, duke mos shkuar në vendin e ngjarjes, me ç‘ rast edhe i ka dhënë licencën për ushtrimin e veprimtarisë.

Prokuroria pretendon se ushtrimi i këtyre veprimtarive është i ndaluar në qendrën historike në Prizren.

Përveç që ushtrimi i kësaj veprimtarie është i ndaluar, aktakuza thotë se ligji po ashtu e ndalon që bastoret të ushtrojnë veprimtarinë në rezen prej 500 metrash largësi nga objektet edukativo- arsimore, institucione historike, fetare dhe pronës komunale.

Si rrjedhojë, prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve, Januzi i ka mundësuar bastores “Xhoilloto” që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme.