Nisma Socialdemokrate - Foto: Facebook

Zyrtari i NISMA-s nuk e do Thaçin në krye të dialogut me Serbinë

Anëtari i partisë Nisma Socialdemokrate, Resul Sinani, ka thënë se në krye të ekipit që do të zhvillojë fazën finale të dialogut me Serbinë nuk duhet të jetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas Sinanit, në “bisedimet e ashtuquajtura përfundimtare” spektri politik kosovar nuk guxon të shkojë i përçarë, por vetëm si një ekip gjithëpërfshirës.

Sipas tij, pjesë e këtij dialogu duhet të jenë udhëheqësit e tre institucioneve kryesore shtetërore dhe të gjithë liderët e partive politike parlamentare (të pozitës dhe të opozitës), të mbështetur edhe nga ekspertë të shumë fushave.

“Një ekipi të tillë, nuk i duhet fare një udhëheqës i mandatuar, e aq më pak ai të jetë presidenti, Hashim Thaçi, por i duhet mandati i Kuvendit të Kosovës, komplet si ekip, e jo si individ. Madje përmes një rezolute të Kuvendit të Kosovës, këtij ekipi do të duhej t’i lejohej nënshkrimi i marrëveshjes vetëm pasi të marrin miratimin e Kuvendit, e jo të nënshkruhej diçka e cila nuk do të kishte konsensusin politik, ashtu siç na ka ndodhur me rastin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi”, ka shkruar Sinani në profilin e tij në Facebook.

Sinani ka shkruar se shkuarja e Kosovës në këto bisedime pa këtë konsensus paraprak, që do të legjitimohej edhe nga Kuvendi i Kosovës, rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit dhe rrezikon mbrojtjen më të mirë të interesave të vendit gjatë bisedimeve. 

“Tendenca e presidentit, Hashim Thaçi, për t’u mandatuar si udhëheqës i ekipit të Kosovës, e pamundëson pikërisht këtë lloj konsensusi, e pamundëson pikërisht krijimin e këtij ekipi gjithëpërfshirës shtetëror të spektrit politik, e kjo do të shpinte vendin drejt rreziqeve të paparashikuara”, ka përfunduar Sinani.