Zyrtari i akuzuar për falsifikim të dokumenteve të veturave deklarohet i pafajshëm

Zyrtari i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, Shkodran Baxhaku, i akuzuar për pesë vepra penale, tri ndër të cilat lidhen me korrupsion, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit.

Ai akuzohet për dy vepra të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumentit zyrtar, manipulim me prova, si dhe veprën penale, cenimi i fshehtësisë së korrespodencës dhe i bazave të të dhënave kompjuterike.

Aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit e ka ngritur dhe e përfaqëson prokurori Mehdi Sefa.

I akuzuari Baxhaku mohoi akuzat e prokurorisë për të gjitha veprat penale me të cilat akuzohet.

Gjyqtarja  e rastit Raima Elezi, caktoi seancën e rradhës me datë 16 maj, deri kur i akuzuari dhe mbrojtësi i tij avokati Skender Morina kanë kohë të paraqesin kundërshtimet e tyre për provat e akuzës dhe mund të kërkojnë hudhjen e aktakuzës nëse konsiderojnë se e njëjta është në kundërshtim me ligjin.

Aktakuza që përmban 5 vepra penale, brenda saj ka 15 prova materiale dokumente, certifikata dhe prova e shkresa tjera që i ka siguruar Prokuroria gjatë fazës së hetimit.

Gjithashtu Prokuroria ka propozuar që pas mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore të njëjtin ta shpall fajtor dhe si dënim plotësues t`i konfiskojë 3 certifikata të automjeteve.

Sipas aktakuzës i akuzuari Baxhaku, më 5 shkurt 2018, në Prizren, ka vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ Nr.16/2016 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për regjistrimin e automjeteve, si dhe me qëllim të shmangies së shqiptimit të gjobës kundërvajtëse, në certifikatën e regjistrimit të automjetit e shënon tekstin si në vijim, ”automjeti posedon xhama të pasmë të errësuar” edhe pse në dokumentet e prodhuesit dhe atë të homologimit nuk është e shkruar një gjë e tillë.

Poashtu, sipas pikës së dytë të aktakuzës, ai akuzohet se në periudhën kohore prej 3 nëntor 2016 deri më 18 shkurt 2017, në Prizren, i tejkalon kompetencat duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr.16/2016 dhe pa i paguar taksat komunale ka vazhduar regjistrimin e katër automjeteve, me ç’ rast u mundëson personave tjerë përfitim në shumën prej 330 euro.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin se me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, i njëjti vërteton dokumentin zyrtar me përmbajtje dhe të dhëna të rreme, duke bërë regjistrimin e automjetit për dy vite edhe pse regjistrimi i automjeteve dhe vazhdimi i tyre bëhet vetëm për një vit.

Poashtu, organi i akuzës, e ngarkon atë edhe për veprën penale “manipulimi me prova”, pasi që më 18 korrik 2018, në objektin e QRA në Prizren, ndryshon dhe heq printerin e markës “Epson” me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të atij sendi si provë në procedurën zyrtare.

Sipas Prokurorisë i akuzuari edhe pse nuk ishte në detyrë gjatë kohës së pauzës, në tavolinën e tij të punës ku ka punuar më herët, e largon printerin e markës “Epson” me qëllim që të fsheh provën se nga ai printer ku është shtypur dokumenti i regjistrimit të automjetit me përmbajtje “automjeti posedon xhama të pasme të errësuar”.

Në pikën e fundit të aktakuzës, i akuzuari Baxhaku, ngarkohet se në periudhën kohore 2017-2018, në objektin e QRA në Prizren, në cilësinë e personit  zyrtar, pa autorizim ndërhynë në bazën e të dhënave kompjuterike të personit tjetër, dhe atë drejtorit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili është vërtetuar pas ekzaminimit në telefonin e të akuzuarit.