Foto: RTV 21

Zyrtari europian: Mos premtoni asgjë për vizat

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Rainer Wieland, tha se në këtë parlament nuk ka ardhur ndonjë dokument për t’u votuar për liberalizimin e vizave për Kosovë.

Derisa po zhvillonte takim me Grupin Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Wieland, i cili është po ashtu zyrtar i lartë në partinë e kancelares gjermane, Angela Merkel, i ka ftuar politikanët e Kosovës që të mos japin premtime për datën e liberalizimit të vizave.

“Është vështirë të krahasohen vendet, e kam thënë një fjali që nuk është diçka personale, e kuptoj se cili është interesi i qytetarëve të Kosovës. Keni një histori të pastër dhe të dhimbshme, e njëjta është edhe me vendet e tjera dhe secili vend po shikon prej perspektivës së tij botën dhe historinë dhe nuk kam synim të emëroj ato shtete”, ka thënë Wieland.

“Shumë gjëra ende duhet të kryhen, po shoh që vendi ka bërë progres dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim vendin në gjërat të cilat duhet të kryhen. Nuk shoh ndonjë momentum që dokumenti për viza të vijë në Parlamentin Europian që të votohet. Parlamenti Evropian insiston që kushtet të plotësohen. I rekomandoj të gjithë që të mos bëjnë premtime për liberalizimin e vizave që mund të ndodhë shumë shpejt”, tha ai.

Avdullah Hoti nga LDK-ja për aktakuzat e ministrave brenda Qeverisë Haradinaj që ende mbajnë postet në Qeveri, tha se janë një sinjal i gabuar që po i dërgohet BE-së për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.