Mitrovica e Veriut. Foto: Atdhe Mulla

Zyrtarët e qeverisë serbe arrijnë në Mitrovicën e Veriut

Dy zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë kanë ardhur në Mitrovicën e Veriut në ditën kur serbët po shënojnë përvjetorin e Betejës së Kosovës, konfirmoi për KALLXO.com Zëvendës Drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti.

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe ministri i Arsimit i Serbisë, Mladen Sharqeviq, janë dy zyrtarët më të lartë në këtë delegacion.

Ata janë ndalur në Universitetin e Mitrovicës së veriut ku pritet ta mbajnë një ligjëratë para studentëve dhe stafit të këtij universiteti.

Ndërsa në Gazimestan afër Prishtinës, pelegrinë serbë janë mbledhur te monumenti që simbolizon ‘Betejën e Kosovës’ të vitit 1389 për ta shënuar festën e tyre fetare, Vidovdanin.

Ata kanë ardhur në mënyrë të organizuar me autobusë ndërsa Policia e Kosovës është duke bërë ruajtjen e rendit për ceremoninë fetare.

Më herët, Jetlir Zyberaj, shef i kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se të gjithë ata që provojnë të hyjnë ilegalisht në Kosovës do të zbatohet ligji nga ana e Policisë së Kosovës, e që nënkuptohet edhe arrestimi.

Këto komente të Zyberajt vijnë për shkak se sot pritet të mbahet manifestimi në Gazimestan në përvjetorin e Betejës së Kosovës.

“Përtej konspiracioneve që rëndom prodhohen pastaj, është shumë e qartë se futja ilegale e kujtdo ne territorin e Kosovës, nënkupton zbatim të ligjit nga Policia e Kosovës”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.

Sipas tij, secili provokim që mund të bëhet, pasojat do t’i bartë Beogradi.

“Secili provokim që mund të bëhet, pasojat do ti bartë  Beogradi ngase provokime te tilla i bën qëllimshëm. Partnerët ndërkombëtarë janë të njoftuar për secilin veprim tonin”, ka shkruar tutje ai.

Serbë lokalë por edhe nga Serbia pritet të marrin pjesë sot në manifestimin në Gazimestan.

Dje, MPJ bëri të ditur se e ka refuzuar kërkesën e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulin, për të marrë pjesë në festimin e Vidovdanit.