Gjykimi i zyrtarëve të KQZ-së | Foto: KALLXO.com

Zyrtarët e KQZ-së Deklarojnë Pafajësinë për Tenderin

Zyrtarët e KQZ- së Enis Halimi dhe Nexhmi Haxhiu u deklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat e prokurorisë për një tender që pretendohet t’i ketë shkaktuar dëm Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vlerë prej 164,064 euro.

Të dy avokatët mbrojtës të tyre, Nikë Shala dhe Artan Çerkini, thanë se në fund të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia të mbrojturve të tyre.

Derisa prokurori i çështjes, Feti Tunuzliu, tha se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale në fjalë.

Aktakuza e prokurorisë ngarkon Enis Halimin e Nexhmi Haxhiun se kanë tejkaluar kompetencat me qëllim që të mundësojnë të përfitojnë të tjerët dhe të dëmtohet e keqpërdoret pasuria e Qeverisë së Kosovës.

Si palë e dëmtuar në këtë çështje penale figuron Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë, por edhe pronarët e “Entermedias” pretendojnë se janë të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Sipas përfaqësuesit të “Entermedias”, avokatit Kushtrim Palushi, “Entermedia” i plotëson të gjitha kriteret për të qenë palë e dëmtuar në këtë rast.

“Ne konsiderojmë se ‘Entermedia’ është direkt palë e dëmtuar në rastin konkret, sepse kompania në fjalë është diskriminuar në procesin tenderues, i është dërguar dosja e manipuluar që ka shkaktuar gjithë zinxhirin e ngjarjeve që janë zhvilluar”, tha avokati Palushi.

Pas këtij deklarimi, Granit Limani, njëri nga dy pronarët e operatorit ekonomik “Entermedia” u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo duke mos kufizuar kështu që statusi i dëshmitarit të transferohet më vonë në atë të palës së dëmtuar.

“Gjatë vitit 2014 kam marrë pjesë në shumë tenderë, njëri nga ta ka qenë dhe tenderi i KQZ- së në lidhje me fushatën vetëdijësuese për zgjedhjet në vitin 2014”, filloi rrëfimin Limani.

Ai tha se Drin Mulliqi, i cili ka qenë në atë kohë në cilësinë e zëvendësdrejtorit në “Entermedia” është marrë me këtë projekt.

Por, sipas Limanit, “Entermedia” kishte marrë përgjigje se nuk është operator i përgjegjshëm për këtë tender.

Si rrjedhojë, ai tha se kanë kërkuar rishqyrtim të rastit nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

“Na e kemi kërkuar nga OShP- ja rishqyrtimin e rastit dhe kemi marrë konfirmim nga OShP- ja që procesi nuk ka qenë korrekt dhe duhet të rishpallet, ose të ndryshohet”, tha Limani.

Ai tregoi se pastaj kanë ngritur kallëzim penal.

“Pas këtij njoftimi ne i kemi ftuar mediat. Si rrjedhojë kemi inicuar procedura si për shembull kallëzim penal, çështjen e kemi adresuar edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kompensim dëmi”, vazhdoi Limani.

Ai theksoi se kompania fituese ka pasur çmimin më të shtrenjtë.

“Nëse tenderi do të ishte fer, atëherë ne do të ishim kompania fituese, ne e kemi pasur çmimin më të ulët, e që ka qenë njëri prej kritereve. Ndërsa kompania fituese në këtë rast e ka pasur çmimin më të shtrenjtë. Ne jemi dëmtuar, sepse nuk jemi trajtuar në mënyrë të barabartë e të konkurrojmë si të tjerët”, tha dëshmitari.

Seanca më pas u ndërpre për shkak të një seance tjetër të caktuar më parë.

Gjykimi i dy zyrtarëve të KQZ-së do të vazhdojë në mars.

Sipas prokurorisë, keqpërdorimi i detyrës ka ndodhur pasi drejtori i prokurimit në Komisionin Qendror Zgjedhor Nexhmi Haxhiu ka bërë Deklaratën e Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve dhe këtë e ka aprovuar Enis Halimi si kryeshef ekzekutiv në KQZ në vlerën prej 472.300,00 eurove më 14 mars të vitit 2014.

KQZ, si autoritet kontraktues më 16 prill kishte publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) njoftimin për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Informimi Publik për Zgjedhjet e Përgjithshme 2014”.

Aktakuza pretendon se KQZ si autoritet kontraktues ka bërë diskriminim ndaj kompanisë “Entermedia”, duke mos i dërguar dosjen identike të tenderit me ato që i kishte dërguar operatorëve të tjerë, kështu duke mos vepruar konform dispozitave ligjore të Ligjit për Prokurim Publik.

Më tej, prokuroria pretendon se pas skadimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni për hapjen e ofertave më 2 maj të vitit 2014 ka rezultuar se ofertat i kanë dorëzuar 10 operatorë dhe të njëjtin regjistër ia kanë dorëzuar të akuzuarit Haxhiu.

Aktakuza, vazhdon me pretendimin se i pandehuri Haxhiu, me postë elektronike i kishte njoftuar të gjithë operatorët që kishin dorëzuar ofertat e tyre dhe të dy të pandehurit kishin bërë njoftimin në KRPP, që autoriteti kontraktues ka zbatuar procedurën e negociuar, pa publikimin e njoftimit për kontratë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ofertat e disa operatorëve ekonomikë ishin shumë më të ulëta sesa ato të operatorit ekonomik që është ftuar në procedurën e negocimit, e që në fakt rezulton se është më e madhe sesa ofertat e tjera për 164.064 euro, për aq edhe sa pretendohet të jetë dëmtuar buxheti i KQZ-së.