Gjykimi i zyrtarëve të Komunës së Drenasit dhe një biznesmeni – Foto: KALLXO.com

Zyrtarët e Komunës së Drenasit Dalin Para Gjyqit për Blerjen e Kamionit

Sipas aktakuzës, Hyrije Xhemajli-Thaçi, Shyqyri Bublaku, Vehbi Jashari dhe drejtori i kompanisë “Agribau”, Naim Berisha, e shkelën Ligjin e Prokurimit në rastin e kontratës për blerjen e një kamioni për fikjen e zjarrit për nevoja të Komunës së Drenasit.

Pasi dëgjuan me vëmendje leximin e aktakuzës nga prokurori Armend Hamiti, të akuzuarit thanë se ndihen të pafajshëm dhe nuk i pranojnë pretendimet e Prokurorisë.

Hyrije Xhemajli-Thaçi, Shyqyri Bublaku, Vehbi Jashari akuzohen se në shtator të vitit 2015 në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Drenasit e kanë shkelur nenin 81.2 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, kur më 29 shtator 2015 kanë nënshkruar kontratën mes Komunës së Drenasit dhe kompanisë “Agribau”, drejtor i së cilës ishte i pandehuri Naim Berisha.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të akuzuarit kanë bërë pagesën prej 110 mijë eurove ndërsa nuk e kanë pranuar mallin (kamionin) në kohën e duhur ashtu siç ishte kontraktuar.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit ishin në dijeni se kamioni nuk i plotësonte kriteret sipas kontratës  dhe se i njëjti ka qëndruar në pikën doganore të Hanit të Elezit, ku ishte ekzaminuar nga ekspertët dhe nga ku ka rezultuar se nuk i përmbushte kriteret e parapara me kontratë.

I akuzuari i katërt i këtij rasti, Naim Berisha, sipas aktakuzës u ka ndihmuar të akuzuarve të tjerë të këtij rasti në atë mënyrë që paraprakisht u ka premtuar fshehjen e përfitimit që do të rrjedhë nga kryerja e veprës penale duke mos e zbatuar kontratën e lidhur mes firmës së tij dhe Komunës së Drenasit.

Në seancën e radhës të akuzuarit do të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj provave dhe  do të kërkojnë nga gjykata që ta hedhë poshtë aktakuzën.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët lidhur me këtë rast.

http://kallxo.com/3-zyrtare-te-drenasit-ne-mbajtje-nga-policia/