Zyret e PDK-së në Prizren i vërshon uji, ata fajësojnë Haskukën

Selia e Degës së Partisë Demokratike në Prizren ka pësuar dëme pasi u vërshua nga uji.

Kryetari i kësaj dege, Shaqir Totaj është ankuar se dëmi ka ndodhur pasi Komuna e Prizrenit ia ka anuluar lejen e renovimit 24 orë pasi që iu ishte aprovuar.

Në komunikatën e PDK-së thuhet se këto pasoja i kishte paralajmëruar kryetari i kësaj dege, Shaqir Totaj, ditën e shtunë.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje kishte  njoftuar se në kërkesën e PDK-së apo nga qiramarrësi i objektit nuk janë plotësuar të gjitha procedurat e nevojshme.

Shaqir Totaj në një prononcim publik kishte thënë se në adresë të drejtorisë së Urbanizmit është dërguar kërkesë për lejimin e punimeve në renovimin e objektit të partisë së tij.

Edhe pse Totaj thotë se fillimisht kërkesa është miratuar dhe punimet kishin filluar, në zyre të PDK-së ka shkuar një vendim për anulim të lejes me ç’rast edhe punimet janë ndaluar.

Këtë veprim Totaj e kishte quajtur të çuditshëm, pasi që institucionet tjera sikurse është Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore i ka dhënë pëlqimin për realizimin e punimeve në objekt.

E sot gjatë ditës PDK- Dega në Prizren ka reaguar nëpërmjet komunikate ku ka bashkangjitur fotografi nga gjendja brenda zyrave të tyre.

“E keqja më e madhe është që po rrezikohet një objekt, i cili është nën mbrojtje dhe me vlera të veçanta arkitektonike dhe trashëgimore brenda zonës së mbrojtur të qendrës historike, nga papërgjegjësia dhe mos dija e këtij pushteti aktual, konkretisht nga injoranca dhe jo profesionalizmi i kryetarit të komunës dhe stafit të tij, i cili nuk ka haber në çështjen e mbrojtjes dhe rëndësisë së objekteve me karakter historik në zemër të Prizrenit” thuhet në komunikatën e PDK-së.

Në anën tjetër, kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, kishte njoftuar se anulimi i lejes është bërë pasi që pas dhënies së saj, është vërejtur se në kërkesën e bërë nga dega e PDK-së nuk janë plotësuar të gjitha specifikacionet që do ta bënin procedurën e kompletuar ndaj qiradhënësit, që në këtë rast është vet ai.

“Me plotësimin e specifikave  të kërkuara, dhënia e kësaj leje nuk do të paraqiste problem, kishte theksuar Haskuka.

Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor udhëhiqet nga Fatmir Memaj, i cili vjen nga subjekti politik i LDK-së, e cila është në koalicionin qeverisës në Prizren bashkë me partinë Nisma Socialdemokrate