Gjykata në Pejë | Foto: KALLXO.com

Zyrafete Huskaj Fiton në Gjyq Gjysmën e Shtëpisë

Gjysma e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në Lubeniq të Pejës do i takojnë Zyrafete Huskajt, pas vendimit të marrë nga Gjykata Themelore në Pejë në lidhje me kontestin mes saj dhe ish-bashkëshortit Hasan Huskaj.

Aktgjykimin për shtëpinë kontestuese e mori gjyqtarja Merita Baloku.

“Vërtetohet se paditësja Zyrafete Huskaj… është pronare në bazë të kontributit nga bashkësia martesore e një të dytës-pjesës ideale të shtëpisë së ndërtuar e tipit P+1K +NK,si dhe dhe një të dytës pjesë ideale të objektit përcjellës ndihmës garazh dhe shupë të ndërtuara afër kësaj shtëpie në anën veriore në ngastrën kadastrave 283/0 ZK Lubeniq,” thuhet në aktgjykim e nxjerrë nga Gjykata Themelore e Pejës.

Në pikën e dytë të aktgjykimit thuhet së i padituri Hasan Huskaj detyrohet që t’ia njohë këtë të drejtë ish-bashkëshortes së tij dhe ta lejojë që përmes ndarjes fizike ta ketë në posedim të lirë faktik.

Po ashtu sipas aktgjykimit Hasan Huskaj detyrohet t’i paguajë ish- gruas së tij shpenzimet procedurale në shumën prej 1826 eurove.

Hasan Huskaj tha për KALLXO.com se është i pakënaqur me vendimin e gjykatës dhe për të njëjtin vendim do bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ai po ashtu theksoi se nga fillimi ka dyshuar në njëanshmërinë e gjyqtares Merita Baloku dyshime të cilat i ka cekur edhe avokati i tij në fjalën përfundimtare.

http://kallxo.com/fjala-perfundimtare-ne-betejen-e-ish-ciftit-per-shtepine/

Huskaj tha së vendimi i Gjykatës në Kosovë sipas tij do rinisë gjykim sërish në shtetin norvegjez mes ish çiftit.

“Tash pasi e ka pru gjykata e Pejës ketë vendim si na paskemi bashkëjetuar, avokati im në Norvegji dje me ka lajmëruar se ne prapë do të shkojmë në gjykim këtu, që me e lyp me nda edhe banesën e saj këtu,” tha Huskaj për KALLXO.com.

KALLXO.com nga fillimi kishte raportuar rreth këtij gjykimi ku bashkëshortja kishte kërkuar t’i njihet kontributi në ndërtimin e shtëpisë.

KALLXO.com ndoqi edhe raste tjera të kërkimit të së drejtës së pronës, të ngjashme me këtë të Zyrafete Huskajt.

Më 30 maj Gjykata Themelore në Prishtinë ia njohu Shukrije Berishës pronësinë në një të gjashtën e shtëpisë dhe një të dhjetën e oborrit.

Berisha kishte paditur kunetërit e saj pasi ishte përjashtuar nga e drejta e trashëgimisë.

http://kallxo.com/gjykata-verteton-pronesine-e-shukrije-berishes/

Edhe Shyhrete Berisha, e mbijetuara e masakrës ndaj familjes Berisha në Suharekë në vitin 1999, në të cilën masakër ajo humbi burrin dhe fëmijët, është duke e kërkuar në gjykatë shtëpinë ku jetoi para se t’i vriteshin më të dashurit.