Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Zyra e Kryeprokurorit reagon ndaj ‘Vetëvendosjes’

Përmes një komunikate për media institucioni i Prokurorisë së Shtetit e ka reaguar ndaj deklaratave të “Vetëvendosjes”.

Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, subjekti politik “Vetëvendosje” në një paraqitje publike gjatë thirrjes për protestë para objektit të Prokurorisë së Shtetit kanë deklaruar se kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi i merr shtatë rroga.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sqaron se njoftimi zyrtar i subjektit politik “Vetëvendosje” për mbajtjen e protestës para objektit të Prokurorisë së Shtetit, ku ndër të tjera thuhet se “…i merr shtatë rroga”, duke iu referuar Kryeprokurorit të Shtetit është një konstatim i pavërtetë, tendencioz dhe propagandues që kanë për qëllim dëmtimin e autoritetit dhe prestigjit të Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndër të tjera ky institucion e njofton opinionin se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si funksion primar e ushtron vetëm pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nga buxheti i shtetit e merr vetëm një rrogë.

“Sipas ligjeve në fuqi, përveç pozitës primare, Kryeprokurori i Shtetit “ex officio” sipas detyrës zyrtare, e ka për obligim të jetë i angazhuar edhe si anëtar i bordeve institucionale të fushës së drejtësisë dhe sigurisë, përkatësisht mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Andaj, Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një rrogë”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit angazhimet e tjera publike të Kryeprokurorit të Shtetit janë obligime ligjore, të cilat dalin nga ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë komunikatë ky institucion deklaron se nuk do të lejojnë që konstatimet e pavërteta dhe tendencioze të shndërrohen në kauza të rreme të individëve, subjekteve politike apo grupeve të caktuara të interesit.

“Më këtë rast ia rikujtomë publikut opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ku thuhet se “të gjitha angazhimet e Kryeprokurorit të Shtetit nuk janë në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.