Nga një mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike | Foto: KALLXO.com

Zyra e Kryeministrit Zbatoi Vetëm Dy Rekomandime

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi raportin e auditimit të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2015.

Anëtari i komisionit dhe deputeti i PDK-së Naim Fetahu  tha se shumë nga rekomandimet nuk po zbatohen.

“Nga 18 rekomandime të dhëna, 2 janë implementuar, 6 janë në proces, ndërsa 10 janë të paimplementuara. Menaxhimi i subvencioneve, raportimi i brendshëm dhe linjat e llogaridhënies, pagesat e avancave nga kategoria e investimeve kapitale, procesimi i pagesave përmes prokurimit, vonesat për mbyllje të avancave, disa nga këto rekomandime po përsëriten nga viti në vit në raportet e auditimit, pse po ndodh kjo,” pyeti Fetahu.

Ali Sadrija, deputeti i LDK-së dhe zëvendëskryesuesi i parë i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike tha se problemet në Zyrën e Kryeministrit po i shkakton mungesa e auditorëve të brendshëm.

“Në Kryeministri është bërë edhe një miniqeveri dhe kjo vazhdon që herët. Ju atje i keni katër ose pesë agjenci. Problemet kryesore i hasim te Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kur është ndarë nga Ministria e Bujqësisë, ata japin subvencione, ju jepni subvencione dhe është një dyfishim i mjeteve që ata marrin. Gjithashtu ju nuk keni auditorë të brendshëm, e keni vetëm një auditor e jeni mbi 600 punëtorë dhe të gjitha problemet vijnë si pasojë e kësaj,“ tha Sadriu.

Sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit Fitim Krasniqi u arsyetua në komision se rekomandimet e auditorit kjo zyrë nuk po i zbaton pikërisht për shkak të agjencive të pavarura që veprojnë brenda saj.

“Arsyeja pse disa rekomandime që dalin nga raporti i auditimit po përsëriten vazhdimisht te Zyra e Kryeministrit nuk është direkt për fajin e menaxhmentit. Siç e dini Zyra e Kryeministrit ka gjashtë agjenci. Kryeshefat e këtyre agjencive janë përgjegjëse për menaxhimin e buxheteve të tyre, edhe pse ata i raportojnë direkt Kryeministrit unë nuk kam të drejtë të ndërhyjë në buxhetin e tyre,” tha Krasniqi.

Në mbledhjen e qeverisë së zhvilluar dje u vendos që Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës të bartet nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, ndërsa u paralajmërua që edhe bartja e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës nga Zyra e Kryeministrit në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

http://kallxo.com/kuci-propozon-lehtesira-per-dorezim-armesh/

Ai foli edhe për vërejtjen e auditorit që avancat për udhëtime në Kryeministri nuk mbyllen me kohë.

“Sa u përket subvencioneve kemi një zyrë për komunitete të cilët vetë i menaxhojnë subvencionet, ndërsa sa u përket avancave është një rekomandim që gjithmonë përsëritet për shkak të specifikave dhe agjendës së udhëtimeve që ka Kryeministri, por ju siguroj se ato mbyllen, por ndoshta me vonesë,” tha Krasniqi.

Për subvencionet e ndara nga zyra e komuniteteve u ankua anëtari i komisionit Fikrim Damka.

Damka tha se shumica e subvencioneve nga kjo zyrë i jepen komunitetit serb.