Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Zyra e Kryeministrit e 'mbytur në borxhe'

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Qeveria e Kosovës është e zhytur në borxhe që nga viti 2016.

E ky borxh deri në fund të vitit 2017-ës ka arritur vlerën e 652 mijë e 140 euro, e ku pjesa më e madhe e borxheve, apo obligimeve të papaguara i takojnë Agjenicsë së Ushqimit e Veterinarisë që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, plotë 521 mijë e 259 euro.

“Obligimet e pa paguara në fillim të vitit 2017 ishin 223,754€, deri në fund të këtij viti obligimet janë rritur afërsisht tri herë më tepër. Vlera e tyre me 31 dhjetor 2017 është 652,140€. Pjesa më e madhe e obligimeve të papaguara i takojnë AUV-it, apo vlera prej 521,259€, që kanë të bëjnë me shpenzime për analiza jashtë vendi, vaksinim i kafshëve, kompensim i fermerëve dhe analiza laboratorike”, thuhet në raportin e auditorit.

Zyrtarët përgjegjës ishin arsyetuar se rritja e obligimeve të papaguara kishte ardhur për shkak të mungesës së buxhetit dhe pranimi i faturave pas mbylljes së zotimeve.

Mirëpo, edhe pse është e zhytur në borxhe, Zyra e Kryeministrit ka ndarë disa herë para nga buxheti i saj për çështje të ndryshme.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 300 mijë euro për rehabilitimin e 1,500 veteranëve të UÇK-së në bregdetin shqiptar.

Qeveria gjithashtu kishte dhënë edhe 30 mijë euro për shërimin e ish kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshit.

Qeveria gjithashtu kishte ndarë edhe 1 milion euro për të paguar shpenzimet e energjisë elektrike për qytetarët në veri të Kosovës.

Gjithashtu ishin ndarë edhe 219 mijë euro për familjarët e të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjen e Kumanovës.