Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Zyra e Hashim Thaçit shpenzon para të buxhetit për kozmetikë

Për t’u dukur bukur para publikut dhe mediave, Zyra e kreut të shtetit Hashim Thaçi është kujdesur të shpenzojë rreth 1 mijë euro para nga Buxheti i Republikës së Kosovës për të blerë kozmetikë.

Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se me 8 mars të këtij muaji se ka nënshkruar kontratë për t’u furnizuar me set të kozmetikës për nevoja të Zyrës së Presidentit.

Për këtë qëllim, Presidenca kishte ndarë 999 euro,  mjetet këto që ishin siguruar nga Buxheti i konsoliduar i Kosovës.

Blerjen e këtij seti të kozmetikës, Presidenca e ka bërë përmes procedurës së mbyllur të prokurimit. Kjo procedurë zhvillohet në atë mënyrë që Autoritet Kontraktues përzgjedh tri kompani prej të cilave kërkon oferta për një furnizim të caktuar, në këtë rast kozmetikë, ndërsa kompania që oferton më së liri përzgjidhet fituese.

Presidenca ka përzgjedhur kompaninë “EBC Company” Sh.P.K me çmim të kontratës prej 960 euro.

Sipas njoftimit për publikuar në KRPP, kohëzgjatja e kësaj kontratë është tre muaj.