Zyra e BE-së përkrah protestën e shoqërisë civile rreth Projektligjit për financimin e partive politike

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë të ditur së përkrah protestën e djeshme të shoqërisë civile kundër amendamenteve të Projektligjit për financimin e partive politike.

Apostolova protestën e ka quajtur “një kujtesë e rëndësishme për nevojën e llogaridhënies, mbikëqyrjes, transparencës dhe zbatimit efektiv të vërtetë”.

Sipas komunikatës, ajo ka deklaruar së partitë parlamentare duhet të marrin parasysh kërkesat e shoqërisë civile për të siguruar që ky ligj është në përputhje me opinionin ligjor të Komisionit të Venecias,

“BE-ja e mbështet fuqimisht këtë. Kjo është një reformë kyçe nën Agjendën Europiane të Reformave, rekomandim i misionit vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së dhe është theksuar në mënyrë të përsëritur në raportin tonë vjetor për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, BE-ja i ka ngritur shqetësimet e veta te Kuvendi dhe Qeveria, duke përfshirë edhe në takimin e fundit të Komitetit për Stabilizim dhe Asociim BE-Kosovë mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë.

Sipas tyre, përpjekjet në Kuvend për të minuar ligjin ngrenë shqetësime serioze.

“Korniza ligjore dhe institucionale për kontrollin financiar të partive politike duhet t’i përmbahet standardeve të larta. Struktura institucionale në qendër të legjislacionit, përkatësisht Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zbatimin e mandatit të saj, buxhetit dhe stafit , si dhe vendimmarrjes, duhet të jetë e pavarur nga përfaqësuesit e partive politike në bordin e KQZ-së. Një pavarësi e tillë është thelbësore për funksionimin e duhur të këtij trupi dhe duhet të kërkohet rreptësisht nga ligji”, thuhet më tutje në komunikatën e zyrës së BE-së në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar dje (17 qershor) së organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar “Marshin e Refuzimit” për të kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Ismet Kryeziu tha se ky marsh është organizuar për t’i bërë thirrje qeverisë që ta tërheqë këtë projekt-ligj.

“Me këtë ligj na trajtojnë si klientë dhe jo votues, na fshehin emrat tonë, na ngritin tarifat dhe ulin gjobat për ta. Në këtë ligj janë 27 amendamente që e dëmtojnë frymën e ligjit apo kërkesat nga ERA”, tha ai.

Marshi i cili ishte kishte vendosur pankarta në gjashtë selitë të partive kryesore parlamentare, nuk kishte shkuar mirë në selinë e PDK-së.

Ata janë penguar nga sigurimi i kësaj partie që t’i vendosin pankartat e njëjta, të cilat i kanë vendosur tek selia e AAK-së, VV-së dhe PSD-së.

https://kallxo.com/pdk-shpreh-keqardhje-per-incidentin-ne-oborrin-e-selise-se-saj/