Zvicra do të ndajë 20 milion franga për menaxhimin e integruar të resurseve ujore në Kosovë

Zvicra pritet të fillojë një program 12 vjeçar me vlerë prej 20 milion franga për menaxhimin e integruar të resurseve ujore në Kosovë.

Ministri i Mjedisit dhe  Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka  pritur në takim ambasadorin e Zvicrës,  Jean-Hubert Lebet , ku biseduan për sfidat e sektorit të ujërave dhe shkëmbimin e  ideve për ndërmarrjen e iniciativave  të ndryshme në përmirësimin e sektorit të ujit.

Ministri Matoshi prezantoi para ambasadorit zviceran sfidat dhe projektet që MMPH po implementon  në përmirësimin e ujërave, në ndërtimin e rezervave të reja ujore, rregullimin e shtretërve të lumenjve, ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza etj.

Nga ana tjetër ambasadori Lebet informoi ministrin Matoshi që Zvicra do të fillojë një programi 12 vjeçar me vlerë prej 20 milion CHF për menaxhimin e integruar të resurseve ujore në Kosovë.

Temë tjetër e takimit ishte mbarëvajtja e takimit të fundit të Këshillit Ndërministror për Ujërat ku Ministri shprehi interes që përkrahja ndaj Ministrisë në veçanti të jetë më e madhe për të përballuar sfidat e sektorit.

Ambasadori Lebet shprehi vlerësimin e tij se tani ka një partner të përkushtuar në Ministri dhe vlerësoi gatishmërinë e Ministrit në veçanti dhe kabinetit të tij për bashkëpunim.

Në fund ambasadori zviceran premtoi që do të angazhohet në këtë drejtim që Kosova të marrë pjesë në iniciativa dhe mekanizma rajonal dhe global në fushën e mjedisit si dhe të përkrahet me fonde për mbrojtjen e mjedisit.