Zv/presidenti i Parlamentit Europian në Prekaz: Të mos harrohet e kaluara dhe të mos ketë urrejtje

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Rainer Wieland ka vizituar Xhaminë e fshatit Zabel i Ulët të Komunës së Drenasit dhe ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Gjatë qëndrimit në Xhaminë e fshatit Zabel i Ulët, Wieland, ka përgëzuar qytetarët e Komunës së Drenasit për tolerancën fetare që kanë dhe është shprehur i lumtur që është qytetar nderi i Komunës së Drenasit.

Zv.presidenti i PE-së, Rainer Wieland, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari kanë bërë homazhe dhe kanë venë kurora me lule në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Wieland në ketë rast u shpreh të rinjve të vendit që të mos urrejnë pavarësisht së kaluarës.

“Unë kam dëgjuar prej kryetarit të juaj, se sa miliona njerëz kanë qenë këtu, dhe ashtu si kam thënë edhe më herët kjo se çfarë ka ndodhur këtu duhet të iu tregohet të rinjve dhe të mos harrohet. Por, gjithashtu t’i mësoni atyre që mos të vazhdojnë të urrejnë më tutje”, tha zv/presidenti para kompleksit memorial në Prekaz.