Mbledhja e Bordit të ZRrE-së. Foto: KALLXO.com

ZRrE shtyn afatin e kalimit të konsumatorëve në treg të hapur

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në mbledhjen e tretë ka shqyrtuar implementimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë, për të cilin është vlerësuar se nevojitet të amendamentohet afati i kalimit të konsumatorëve në tregun e hapur.

Edhe përkundër parashikimeve për mundësinë e zgjedhjes së furnizuesit në tregun e hapur, si dhe licencimit të furnizuesve të rinj, konsumatorët ende nuk kanë mundësi të zgjedhin furnizuesin e tyre për shkak se 5 nga 6 furnizuesit e licencuar nuk janë ende aktivë në tregun e Kosovës.

Në këtë mënyrë Bordi ka vendosur që të shtyjë afatin për detyrimin e kalimit të konsumatorëve në tregun e hapur deri më 31 mars të vitit 2019, duke mos penguar konsumatorët që të ndërrojnë furnizuesin në rast se mund të gjejnë furnizues që ju oferton shërbime të furnizimit ne energji elektrike në tregun e lirë.

Drejtori menaxhues në ZRrE, Petrit Pepaj gjatë mbledhjes ka thënë se udhëzuesi ka paraparë hapat e mundshëm se si do të bëhet rregullimi i konsumatorëve sipas niveleve të tensionit.

“Meqenëse ka kalu një periudhë kohore prej 31 marsit 2018, kur konsumatorët e nivelit 35 edhe 10 sipas udhëzuesit është dashtë me dalë në treg të hapur edhe mungesa e furnizuesve të tjerë aktivë, është parë e arsyeshme që të kërkohet një kohë shtesë që të jetë e mundur të punohet më shumë me këta konsumatorë, me i informu mbi bazën e obligimeve dhe të drejtave të tyre të cilat i kanë sa i përket sjelljes së furnizuesve”, ka thënë Pepaj.

Sipas tij pavarësisht të gjitha gjërave një konsumatori nuk i ndalohet me dalë dhe me zgjedhë furnizuesin e vet.

“Pra në asnjë rrethanë asnjë konsumatori nuk i ndalohet e drejta e tij për me zgjedhë furnizuesin, nëse një konsumator sot do të dalë prej tarifës së rregulluar ai e ka lirinë e vet për me dalë me gjetë furnizuesin e vet”, ka theksuar Pepaj.

U.D. kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova tha se në vitin e kaluar përveç KESCO-s e kanë qenë edhe dy operatorë, furnizues të tjerë që janë licencuar por që deri tani nuk kanë filluar të operojnë, nuk janë aktivë në tregun e Kosovës.

“Tash këtë vit kemi licencuar edhe tre operatorë të tjerë për furnizim se si ata në të ardhmen do të jenë efektiv në treg ne ende nuk e dimë mirëpo ka qenë domosdoshmëri”, ka përfunduar Janova.

13 Qershor 2018 - 21:39

Dorentina Kastrati 13/06/2018 - 21:39
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend