ZRrE reagon ndaj deklarimeve të Odës Ekonomike të Kosovës për liberalizimin e tregut

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar ndaj deklarimeve të Odës Ekonomike të Kosovës në lidhje me ankesat e konsumatorëve, liberalizimin e tregut dhe kushtet e krijuara nga ZRrE.

Më 11 mars, Oda Ekonomike e Kosovës kishte mbajtur një konferencë  lidhur me problemet dhe sfidat e sektorit privat në raport me energjinë elektrike.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi u shpreh se nëse deri me 1 prill nuk liberalizohet tregu i energjisë, shumica e bizneseve do të mbyllen.

Energjia elektrike mbetet ndër barrierat kryesore jo vetëm për koston edhe për furnizimin e rregullt. Në këtë fazë është menduar që do të kemi dy lëvizje që e ndihmojnë prodhuesin mirëpo për shkak të problemeve edhe këto dy alternativa nuk po mundësohen”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, Astrit Panxha, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, shprehu si shqetësim mohimin e të drejtës për vetëkonsum.

“Mohimi i te drejtës për vet konsum nuk ka logjikë pasi shumica e vendeve të rajonit investojnë mijëra euro në burime tjera të prodhimet të energjisë ndërsa në Kosovë me një vend të ZRRE-së u mohohet kjo, kjo pa asnjë të drejtë. Ne kërkojmë që urgjentisht të hiqet vendimi për liberalizimin e tregut së paku për një vit”, u shpreh Panxha.

Në reagimin e ZRrE-së thuhet se deklarimet e tilla nuk përkojnë aspak me realitetin sepse ZRrE deri më tani e ka dëshmuar se nuk ka zhvilluar asnjë proces rregullativ pa përfshirjen e të gjitha palëve. Sipas tyre të gjitha rregullat e ZRrE-së, para aprovimit i janë nënshtruar diskutimeve publike dhe janë publikuar në faqen e ZRrE-së, me qëllim të marrjes së komenteve nga të gjitha palët.

“Asnjëherë ZRrE nuk ka refuzuar të diskutojë me çdo palë aspektet rregullative, e në veçanti me konsumatorët. Të gjitha grupet e konsumatorëve por edhe konsumatorët individualisht, kanë mundësi , dhe ata e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, për tu takuar me zyrtarët e ZRrE dhe në veçanti me Departamentin për Mbrojtje të Konsumatorëve”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.

Sa i përket hapjes së Tregut të Energjisë, ky është një proces i gjatë që është iniciuar vite më parë.

Kosova, duke qenë palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë është zotuar që të zbatojë direktivat e Bashkimit Europian të Energjisë, të cilat ndërtojnë një legjislaturë që mbështet tregun e lirë të sektorit të energjisë.

Bordi i ZRrE në mbledhjen e tij të mbajtur më 18 janar 2017, ka aprovuar Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.

“Udhëzuesi, përveç që shërben si udhërrëfyes për veprimet që do të ndërmerren nga të gjithë akterët drejt funksionalizimit të Tregut të lirë të energjisë elektrike, po ashtu definon mënyrën, kushtet dhe kohën e hapjes së tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në nivelin e Prodhimit dhe Furnizimit të energjisë elektrike. Si pasojë e mungesës së konkurrencës efektive, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të abuzimit me pozitën dominuese të furnizimit me energji elektrike, Bordi ka vendosur që të përcaktojë Obligimet e Shërbimit Publik për furnizues të ofrimit të Shërbimit Universal me energji elektrike”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.

Më tej në reagim thuhet se përderisa me Udhëzuesin për Liberalizimin e tregut, ZRrE ka paraparë fazat e kalimit të konsumatorëve në tregun e lirë, edhe pse vlen të përmendet se bazuar në legjislacionin në fuqi, të gjithë konsumatorët janë të lirë të zgjedhin furnizuesin e tyre.

ZRrE deri më tani ka licencuar 7 furnizues, por duke parë mosfunksionalizimin e të gjithë këtyre furnizuesve, ZRrE ka zgjatur afatet edhe për një vit, të kalimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV.

ZRrE ka treguar se para disa muajsh ZRrE ka njoftuar përsëri këtë grup të konsumatorëve për zhvillimet e ardhshme dhe ka mbajtur shumë takime për të sqaruar mënyrën e furnizimit në një treg të lirë, ku çmimet nuk rregullohen por i nënshtrohen konkurrencës së lirë.

“Sa i përket çështjes së prodhimit të energjisë për vetë-konsum. ZRrE dëshiron të sqarojë se ky aspekt është i rregulluar me Rregullën e Procedurës së Autorizimit për Ndërtimin e Kapaciteteve të Reja nga Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, dhe Rregulla për Skemën Mbështetëse, rregulla këto të aprovuar nga Bordi i ZRRE me 27 prill 2017. Këto rregulla kanë për qëllim që të krijojnë kushte për shfrytëzim efiçient dhe me kosto-efektive të energjisë, duke marrë parasysh madhësinë e këtyre gjeneratorëve dhe ndikimin e tyre në sistemin e energjisë dhe në mjedis”, vazhdon reagimi.

Sipas ZRrE-së në kohën kur janë vënë këto rregulla në diskutim publik dhe janë aprovuar nga Bordi, janë marrë për bazë të gjitha vërejtjet e arsyeshme që janë dhënë nga ekspertët dhe nga operatorët e sistemit.

“Përderisa nga konsumatorët nuk ka pasur ndonjë koment. Vlen të ceket se, aktualisht Kosova është vendi i parë dhe i vetëm në rajon që e ka rregulluar këtë aspekt”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.

Pas shprehjes së shqetësimit nga një grup i konsumatorëve, kohëve të fundit, të kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV, ZRrE do të iniciojë një rishqyrtim të rregullave, i cili rishqyrtim duhet të kalojë nëpër procedurat e parapara të analizimit dhe rishqyrtimit të të gjitha aspekteve teknike dhe rregullative.

“ZRrE dëshiron të theksoj edhe një herë se mbetet gjithmonë e hapur për të diskutuar çdo fushë që është brenda kompetencave të saj. Po ashtu ZRrE ju bënë thirrje të gjitha Odave dhe palëve të tjera të interesit që të jenë me aktive në proceset e shqyrtimeve publike të dokumenteve, që kanë ndikim tek anëtarësia e tyre dhe të japin komentet dhe kontributin në këto dokumente”, përfundon reagimi.